Ushqime e veshmbathje të grumbulluara gjatë aksionit "Të gjithë për një" - Foto e dërguar në KALLXO.com nga një qytetar

Aksion për t’i Ndihmuar Skamnorët

Qytetarë nga rajone të ndryshme të Kosovës përmes aksionit “Të gjithë për një” kanë filluar të mbledhin ushqime e veshmbathje për t’u dalë në ndihmë skamnorëve në këto ditë të ftohta.

Ushqimet e veshmbathjet e grumbulluara sot do të shpërndahen ditëve në vijim.

Jeta Berisha, iniciatore e këtij aksioni, tha për KALLXO.com se kjo iniciativë erdhi pas shqetësimit për gjendjen e familjeve në nevojë me uljen e temperaturave në Kosovë.

“Me uljen e temperaturave në Kosovë, të shqetësuar për gjendjen e familjeve skamnore, për faktin se vetëm në komunën e Prishtinës janë mbi 1,700 familje që kanë nevojë për ndihma humanitare apo social, nisëm iniciativën për grumbullimin e të mirave materiale dhe ushqim që t’ua lehtësojme sadopak gjendjen në këto ditë të ftohta”, tha ajo.

Jeta Berisha tha se qytetarët dhuruan mjaft veshmbathje.

Ajo tregoi se nga Komuna e Prishtinës kanë marrë një listë prej 100 familjesh të cilat kanë më së shumti nevojë për ndihmë.

“Sot qyetarët sollën veshmbathje prej më të ndryshmeve. Nga Komuna kemi marrë një listë prej 100 familjesh, nesër do të marrim edhe lista të tjera. Për shkak të kërkesave të shumta aksioni do të vazhdoj edhe nesër nga ora 14:00 deri në orën 15:00, apelojmë që kësaj rradhe të sillni më shumë ushqim” tha Berisha.

Edhe Shkurtë Ahmeti, nga Gjilani, tha se qytetarët nga ky qytet kanë dhuruar goxha shumë veshmbathje dhe shtoi se ende nuk ka informacion se sa familje kanë nevojë për ndihmë.

“Këtë javë do të dalim edhe me disa të interesuar të tjerë të cilët dëshirojnë t’i bashkohen kësaj iniciative”, tha Ahmeti.