Osmani: Pas zgjedhjeve do të vendosim për emrin e iniciativës

Vjosa Osmani e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit me iniciativën e saj garon në listën e kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, ka deklaruar se pas zgjedhjeve do të vendosin rreth emrit të iniciativës së saj politike.

“Ne ende nuk e kemi regjistruar iniciativën zyrtarisht, për shkak të procedurave të tejzgjatura që janë të parapara me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme. Për shkak të shpalljes së zgjedhjeve, procesi ka ngecur. Këtë çështje do ta saktësojmë menjëherë pas zgjedhjeve kur edhe do ta kemi afatin kohor të nevojshëm dhe do të ulemi që të gjithë njerëzit që jemi pjesë e aktit themeltar që jemi diku mbi 100 dhe do të vendosim përfundimisht se cili do të jetë edhe emri i iniciativës sonë”, tha ajo në KTV.

Në anën tjetër, Osmani kishte bërë të ditur se në këto zgjedhje do të garojë për të marrë pozitën e presidentes së vendit, ndonëse zgjedhjet janë për Kuvendin e Kosovës.

Kushtetuta e Kosovës përcakton që presidenti i Kosovës nuk duhet të ushtrojë asnjë funksion politik.