Akreditimi, Suspendohen 131 Programe të Arsimit të Lartë Publik dhe Privat

Në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” janë gjithsej 23 programe që janë suspenduar nga KSHC-ja, prej tyre tri programe doktorate, dy në Fakultetin Ekonomik dhe një në Fakultetin e Filologjisë.

Në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë janë suspenduar dy programe të Master, njëri në drejtimin Shëndeti Publik dhe tjetri në drejtimin Pemëtari dhe Vreshtari.

Po ashtu KSHC-ja me vendimin e saj ka suspenduar edhe programin në nivelin Bachelor dhe Master në drejtimin Gjeodezi të Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës.

Në Fakultetin Ekonomik është pezulluar programi Ekonomi e Aplikuar dhe Menaxhment, si dhe programi në Master Ndërmarrësi dhe Zhvillim Ekonomik Lokal. Po ashtu në Fakultetin e Ekonomisë janë suspenduar edhe dy programe të doktoratës të drejtimit Ekonomiks dhe Ekonomiks në Gjuhën Angleze.

Pezullim apo supsendim të programeve ka pasur edhe në Fakultetin e Edukimit në katër programe në Master profesional në drejtimin Mësimdhënie në Matematikë, Mësimdhënie në Shkencat Natyrore, Mësimdhënie në Shkencat Sociale, Mësimdhënie në Teknologji dhe TIK.

Në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike janë suspenduar tri programe në drejtimin Automatikë e Kompjuterizuar dhe Robotikë, Elektroenergjetike,  Elektronikë.

Edhe në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike janë suspenduar katër programe  nga KSHC-ja në drejtime  Konstruksione dhe Mekanizim, Konstruksione dhe Mekanizim, Termoenergjetikë dhe Termoteknikë, Termoenergjetikë dhe Termoteknikë.

Ndërsa në Fakultetin e Mjekësisë është suspenduar programi për drejtimin Mjekësi Paraklinike.

I prekur nga vendimet e KSHC-së është edhe Fakulteti i Filologjisë ku në këtë institucion janë suspenduar tri programe në master në drejtim Gjuhë Frënge, Gazetari dhe Marrëdhënie me Publikun, dhe po ashtu një program në nivelin e doktoratës në drejtimin Gazetari dhe Shkencat e Komunikimit.

Vendime të ashpra  nga KSHC-ja kanë qenë edhe për kolegjet private që funksionojnë në Kosovë. KSHC-ja ka marrë vendim që të suspendohen 106 programe të kolegjeve private.

Me të prekur kanë qenë Kolegji AAB dhe Kolegji Fama, me 17 programe të suspenduara. Po ashtu, është marrë vendim edhe për suspendimin e 14 programe të Kolegjit Biznesi.

Kolegjet e tjera të prekura janë edhe Kolegji Dardania me 7 programe, Kolegji ESLG me 1 program, Akademia Evolucion me dy programe, Kolegji Arbëri  me 4 programe, Kolegji Globus me 1 program, Kolegji Iliria me 7 programe, Kolegji ISPE me 5 programe, Kolegji Juridika me 1 program, Kolegji ‘Pjetër Budi’ me 1 program, Kolegji QEAP Heimerer me 3 programe, Kolegji Rezonanca me 8 programe, Kolegji Riinvest me 2 programe, Kolegji Tempulli me  6 programe, Kolegji UBT me  5 programe, Kolegji Universi me 1 program dhe Kolegji Universum me 4 programe.