Ahmeti: Rrugët në Prishtinë Janë të Kalueshme

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka njoftuar se te gjitha rrugës e kryeqytetit dhe ato të fshatrave janë të kalueshme pas reshjeve të fundit të borës.

“Ditëve të fundit, për shkak të reshjeve të shumta të borës, 8 kompani të kontraktuara nga Komuna e Prishtinës janë angazhuar me kapacitete të plota për pastrimin e rrugëve. Si rezultat i punës së tyre, si dhe angazhimit maksimal të stafit të Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Drejtorisë së Inspekcionit, rrugët kryesore në qytet dhe në fshatra janë të kalueshme”, tha Ahmeti.

Ahmeti u bëri thirrje pronarëve të lokaleve afariste që të kujdesen për pastrimin e hapësirës para lokaleve të tyre duke zbatuar kështu Rregulloren për Shërbime Komunale.

“Për pastrimin e borës nga trotuaret dhe para ndërtesave afariste dhe banesore në pronësi shoqërore, kujdesen personat juridikë, të cilët i shfrytëzojnë ndërtesat afariste dhe pleqësitë shtëpiake, ndërsa për pastrimin e borës nga trotuaret para ndërtesave familjare banesore dhe para hapësirave afariste (punëtoritë, lokalet afariste), kujdesen pronarët dhe shfrytëzuesit e ndërtesave banesore dhe të hapësirave afariste”, tha Ahmeti duke cituar kështu nenin 138.1 të Rregullores për Shërbime Komunale.

Gjatë ditëve të fundit, moti në Kosovë është karakterizuar me reshje të borës ku temperaturat kanë rënë në minus.

KALLXO.com, kishte raportuar se Ministria e Infrastrukturës kishte monitoruar këto ditë të gjitha akset rrugore shkaku i borës dhe ngricave.

Moti i ftohtë dhe reshjet e borës në Kosovë nuk kanë sjellë vështirësi  as për fluturime dhe aderime në aeroportin e Prishtinës.