Sali Asllanaj, Kryetar i komunës së Suharekës
AGK Dënon Pengimin e Gazetarëve nga Komuna e Suharekës
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar sot pengimin që komuna e Suharekës u ka bërë dy gazetarëve për ta përcjellë një ngjarje brenda ndërtesës së këtij institucioni.
AGK thotë se e ka marrë me shqetësim njoftimin se gazetarët Uran Haxha nga Koha.net dhe Brahim Thaçi nga TherandaPost janë penguar nga kryetari i komunës së Suharekës, Sali Asllanaj për ta kryer detyrën e tyre.
AGK thotë sipas ankesës që ka pranuar Asociacioni i Gazetarëve, kryetari i Suharekës, Sali Asllanaj, përmes zëdhënësit të tij, sot, nuk i ka lejuar dy gazetarët që ta përcjellin konferencën për shtyp të fundvitit, por as të kenë qasje në ndërtesën e komunës, me arsyetimin se nuk e kanë pasqyruar drejt punën në komunë.
KALLXO.com ka raportuar gjatë ditës për këtë pengesë në punën e gazetarëve.
http://kallxo.com/sali-asllanaj-nuk-i-lejon-dy-gazetare-ne-konference-per-shtyp-ne-komune/
Ndërsa AGK e dënon këtë akt duke e cilësuar, shkelje flagrante të së drejtës për qasje në informacion dhe në kundërshtim me vlerat e përgjithshme të lirisë së shtypit dhe shprehjes.
“AGK thekson se gazetarët duhet të jenë të lirë ta ushtrojnë profesionin e tyre dhe të raportojnë objektivisht për gjërat që janë në interes të publikut, pavarësisht nëse lajmi mund të mos i pëlqejë kryetarit të komunës”, thuhet në reagimin e AGK-së.
“Përpjekja për t’ua imponuar gazetarëve se çfarë të shkruajnë, është tendencë për kontrollin e informatës dhe për mbytjen e fjalës së lirë”, thuhet në reagim.