Agim Bahtiri ndan 2 mijë euro për varrimin e të riut nga Mitrovica

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ka ndarë nga buxheti i tij personal 2 mijë euro për ceremoninë e varrimit të 27 vjeçarit, i cili humbi jetën pas shembjes së hotel “Adriatik”.

“Për humbjen e djalit, familjes tuaj, të afërmve dhe miqve, në emrin tim personal dhe në emër të Komunës së Mitrovicës, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta, andaj në shenjë solidarizimi me dhimbjen tuaj nga buxheti im personal do të ndajë shumën prej 2000 euro për mbulimin e shpenzimeve të varrimit”, thuhet në njoftimin e Komunës së Mitrovicës.

Bahtiri përmes një telegrami e ka ngushëlluar familjen Behrami.

“Ndajmë me ju dhimbjen e madhe. Qoftë i përjetshëm kujtimi për birin tuaj”, vazhdon ngushëllimi ndaj familjes Behrami.

Trupi i punëtorit që kishte mbetur i ngujuar nën rrënojat e hotelit ‘Adriatik’ është gjetur dhe tërhequr nga FSK-ja rreth orës 12 pas mesnate.

Dje rreth orës 17 është shembur një pjesë e hotelit ‘Adriatik’ në Mitrovicë.

Pas më shumë se 6 orë kërkimi ai u gjet.

Selman Ajvazi, doktori kujdestar konfirmoi për KALLXO.com se e ka konstatuar vdekjen e viktimës.

Sipas policisë dhe Komunës së Mitrovicës dyshohet se shkaku i shembjes ishte renovimi që po bëhej në këtë hotel, për të cilat punime nuk ishte marrë leje.

Dy persona janë arrestuar mbrëmë me urdhër të Prokurorisë së Mitrovicës pas shembjes së hotelit ‘Adriatik’ që i mori jetën një punëtorit.

KALLXO.com mëson se personat e ndalur janë A.H si punëdhënës dhe Sh.H si punëkryes në objektin e Hotel ‘Adriatikut’.

Ndalimin e këtyre dy personave për KALLXO.com e kishte konfirmuar edhe prokurorja nga vendi i ngjarjes Fetije Bajrami Shala.

Brenda objektit të Hotelit Adriatik në momentin e shembjes kanë qenë duke punuar katër punëtor, tre prej të cilëve kishin arritur të dilnin nga vendi dhe të shpëtonin, ndërsa i ngujuar nën germadhat e Adritatikut për orë të tëra kishte mbetur Visar Behrami.

https://kallxo.com/keta-jane-te-arrestuarit-lidhur-me-shembjen-e-hotelit-adriatik/

.