John Chesnut pranë një aeroplani ‘Piper Chirokee’ në aeroportin e Stenkovecit në Maqedoni, Foto: Kallxo.com

Aeroplani i amerikanit i bllokuar nga LIMAK-u për gati 3 vjet, i rikthehet pronarit

Aeroplani ‘Piper Chirokee’, në pronësi të amerikanit John Chesnut, i cili ishte bllokuar në njërin nga hangarët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” që nga muaji shtator i vitit 2016, është liruar pas gati 3 vjetëve.

Këtë e ka konfirmuar për Kallxo.com vetë Chesnut, i cili ka thënë se dje, më 9 korrik 2019, ai ka fluturuar me aeroplanin ‘Piper Chirokee’ në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit e më pas në Aeroportin e Stenkovecit.

“Dje kemi fluturuar në Maqedoni ku edhe aeroplani do të shërbejë dhe do të qëndrojë për momentin”, ka thënë Chesnut për Kallxo.com.

John Chesnut ka ardhur të jetojë së bashku me familjen e tij në fshatin Orllan të Podujevës në vitin 2000, menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë.

Chesnut është anëtar i Shoqatës së Entuziastëve të Aviacionit (AES) në Kosovë dhe si entuziast i aviacionit në vitin 2012 ai kishte sjellë nga Amerika një aeroplan “Piper Chirokee” në njërin nga hangarët në Aeroportin e Stenkovecit në Maqedoni.

Që të rinjtë të kenë mundësi të trajnohen në pilotim të aeroplanëve të vegjël dhe që entuziastët e aviacionit të kenë mundësinë t’i zhvillojnë këto fluturime në Kosovë, Chesnut mori iniciativën për të sjellë aeroplanin e tij në Prishtinë.

Që nga tetori i vitit 2016, LIMAK i ka faturuar John Chesnut nga 5,624.00 euro për çdo muaj, për shfrytëzimin e hapësirës së hangarit në aeroport.

Që nga shtatori i vitit 2016 deri më 1 gusht 2018, ai nuk është lejuar as ta marrë aeroplanin e as të bëj ndonjë fluturim testues për të kontrolluar gjendjen teknike të aeroplanit që peshon më pak se një ton.

John Chesnut gjatë këtyre 23 muajve vazhdimisht kishte bërë kërkesë në Agjencinë e Aviacionit Civil për të bërë fluturime testuese me aeroplanin e bllokuar në hangar. AAC ia ka miratuar kërkesat por nga ana tjetër LIMAK ka lejuar që ai vetëm ta shoh aeroplanin por jo edhe të bëjë fluturime testuese.

Pas gati 23 muajve, më 1 gusht të vitit 2018, John Chesnut është lejuar nga LIMAK-u për të bërë fluturimin e parë testues të aeroplanit të tij të bllokuar në hangarin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Pa kaluar tri javë nga fluturimi i parë testues, Chesnut përsëri ka bërë kërkesë për një tjetër fluturim testues për aeroplanin e tij. Edhe kësaj here LIMAK-u nuk e ka refuzuar kërkesën e Chesnut, kështu që më 18 gusht 2018 ai realizoi ‘touch and go-të’ e nevojshme për mirëmbajtjen e aeroplanit të tij.

John Chesnut e ka dërguar rastin në gjykatë në vitin 2017 dhe në aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës në muajin janar të vitit 2018 thuhet që LIMAK-u urdhërohet që t’i lejojë qasje John Chesnut për të kryer veprime për mirëmbajtjen dhe ruajtjen e aeroplanit.

Por në të njëjtin aktvendim i ishte refuzuar propozimi me të cilin kishte kërkuar që LIMAK-u menjëherë t’ia dorëzojë Chesnut-it në posedim aeroplanin “Piper Cherokee”.

Në shtator të vitit 2018, Kallxo.com kishte shkruar për bllokimin e aeroplanit të amerikanit Chesnut.

Turqit e LIMAK-ut bllokojnë për dy vjet aeroplanin e amerikanit në ‘Adem Jashari’

.