John Chesnut pranë një aeroplani ‘Piper Chirokee’ në aeroportin e Stenkovecit në Maqedoni, Foto: Kallxo.com

Turqit e LIMAK-ut bllokojnë për dy vjet aeroplanin e amerikanit në 'Adem Jashari'

Aeroplani ‘Piper Chirokee’, i cili është në pronësi të amerikanit John Chesnut, është bllokuar në njërin nga hangarët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” që nga muaji shtator i vitit 2016. 

John Chesnut ka ardhur të jetojë së bashku me familjen e tij në fshatin Orllan të Podujevës në vitin 2000, menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë.

Chesnut është anëtar i Shoqatës së Entuziastëve të Aviacionit (AES) në Kosovë dhe si entuziast i aviacionit në vitin 2012 ai kishte sjellë nga Amerika një aeroplan “Piper Chirokee” në njërin nga hangarët në aeroportin e Stenkovecit në Maqedoni.   

Që të rinjtë të kenë mundësi të trajnohen në pilotim të aeroplanëve të vegjël dhe që entuziastët e aviacionit të kenë mundësinë t’i zhvillojnë këto fluturime në Kosovë, Chesnut mori iniciativën për të sjellë aeroplanin e tij në Prishtinë.  

“Kjo është bërë për hir të komunitetit të entuziastëve të aviacionit në Kosovë sepse unë dua të ndihmoj që të krijohet komuniteti i aviacionit këtu”, ka thënë  Chesnut për Gazetën Jeta në Kosovë.

Blerat Ukaj, pilot i aviacionit dhe njëri ndër themeluesit e Aeroklubit AES në Prishtinë, ka thënë se ka shumë vite që kanë bërë përpjekje si aeroklub për t’i zhvendosur dhe ushtruar aktivitetet në Prishtinë, por kjo nuk ka qenë e mundur.

Ukaj është shprehur se njëra nga përpjekjet e fundit ka qenë edhe ajo e vitit 2016 nga John Chesnut për të sjellë aeroplanin në Kosovë, me të vetmin qëllim për të zhvilluar aviacionin e përgjithshëm, por ata janë bllokuar nga LIMAK-u. 

“Fatkeqësisht aeroklubi jonë nuk ka mundur ta shtrijë veprimtarinë në Kosovë, ne e patëm tentimin e fundit me John Chesnut, kur e dërguam një aeroplan në Kosovë, se ne kemi thënë që ato që i kemi do t’i vëmë në dispozicion të Kosovës pa asnjë lloj çmimi, do t’i shfrytëzojmë të gjithë së bashku me të vetmin qëllim që ta zhvillojmë aviacionin në Kosovë”, ka thënë Ukaj.  

Ukaj është shprehur se nuk mund të besojë se si LIMAK-u ia ka lejuar vetes t’ia bllokojë aeroklubit aeroplanin i cili është i destinuar për fluturime sportive dhe trajnuese.  

“Ne kemi pritur që LIMAK-u të jetë partner i joni, ata do të duhej në fakt të na mbështesnin dhe çfarë gjejmë ne aty është se pikërisht LIMAK-u nga bllokon neve, ata nuk janë duke bërë asgjë tjetër vetëm se janë duke e stopuar një aktivitet që aeroklubi jonë e ka ndërmarrë, në këtë rast për të zhvilluar aviacionin e përgjithshëm në Kosovë, pra ata po e pengojnë”, ka potencuar Ukaj.    

Nga ana tjetër Kushtrim Musa, drejtor në Departamentin e Sigurisë së Fluturimeve në AAC, ka thënë që i vetmi aeroport që i përmbushë kushtet në Kosovë për aviacion të përgjithshëm dhe që është i certifikuar nga AAC-ja është Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës.  

“Ai është aeroport ndërkombëtar dhe si i tillë edhe kushtet të cilat ia ofrojnë pilotëve të aviacionit të përgjithshëm janë të pafavorshme se janë tarifat më të larta”, ka deklaruar Musa.

John Chesnut ka deklaruar se aeroplani i bllokuar nga LIMAK-u do të ishte një mundësi që të rinjtë e Kosovës që janë shumë të interesuar të trajnohen por edhe të zhvillojnë fluturime panoramike për të parë nga lart bukuritë e Kosovës.  

“Vajza ime 21 vjeçare u bë pilote këtu, edhe kosovarët mund ta bëjnë të njëjtën gjë. Ajo nuk është më e mençur se shumica e kosovarëve”, është shprehur Chesnut.

Kushtrim Musa nga AAC ka thënë se për momentin në Kosovë nuk ka asnjë shkollë të licencuar të fluturimit.

“Ka pilotë të rinj të licencuar por për fat të keq janë të licencuar në vendet e rajonit, mirëpo në vendin tonë nuk ka pilotë që posedojnë licencë të Kosovës”, ka thënë Musa për Gazetën Jnk.

Blerat Ukaj nga Aeroklubi AES ka thënë që zhvillimi i aviacionit të përgjithshëm do ta ndihmonte shumë edhe turizmin në Kosovë.

“Kosovës do t’i shërbente shumë zhvillimi i kësaj fushe se nuk është se bëjmë vetëm aktivitete sportive, është edhe trajnimi se dihet se sot në treg kërkohen jashtëzakonisht shumë pilotë, mund të zhvillohet turizmi se çdo turist që vjen ta vizitojë Kosovën mund të bëjë një fluturim panoramik dhe t’i shoh bukuritë e Kosovës nga lart”, ka thënë Ukaj.  

Ai ka premtuar se pasi të lirohet aeroplani i bllokuar nga LIMAK-u ata do të jenë të gatshëm ta sjellin edhe aeroplanin tjetër që është në posedim të aeroklubit, i cili momentalisht gjendet në Maqedoni, për të zhvilluar aviacionin e përgjithshëm në Kosovë.

“Të paktën të fillojmë me fluturime panoramike, fluturime njoftuese edhe pse jo me përgatitjen e pilotëve të rinj dhe këtë do të jemi të gatshëm ta bëjmë që nga momenti që na lejohet të veprojmë në Kosovë”, ka përfunduar Ukaj.  

Një aeroplan i bllokuar në hangar dhe 130 mijë euro fatura 

Që nga tetori i vitit 2016, LIMAK i ka faturuar John Chesnut nga 5,624 euro për çdo muaj, për shfrytëzimin e hapësirës së hangarit në aeroport.  

Pas 23 muajsh, që nga bllokimi i aeroplanit, shuma e faturave ka shkuar në 129,366 euro. John Chesnut nuk ka pranuar që t’i paguajë faturat për shkak të shumës së papërballueshme dhe ngase ai nuk kishte bërë asnjë marrëveshje me LIMAK-un në lidhje me shfrytëzimin e hangarit.

Që nga shtatori i vitit 2016 deri më 1 gusht 2018, ai nuk është lejuar as ta marrë aeroplanin e as të bëj ndonjë fluturim testues për të kontrolluar gjendjen teknike të aeroplanit që peshon më pak se një ton.  

“Këtu ata ma kanë ndaluar aeroplanin që nga 8 shtatori i vitit 2016 dhe çdo muaj unë marr një faturë për 5 mijë e 624 euro. Unë kurrë nuk kam nënshkruar kontratë, kurrë nuk kam rënë dakord për këtë por ata kanë refuzuar gjithashtu që unë të mund ta marr aeroplanin tim nga aty”, ka thënë Chesnut.  

John Chesnut gjatë këtyre 23 muajve vazhdimisht ka bërë kërkesë në Agjencinë e Aviacionit Civil për të bërë fluturime testuese me aeroplanin e bllokuar në hangar. AAC ia ka miratuar kërkesat por nga ana tjetër LIMAK ka lejuar që ai vetëm ta shoh aeroplanin por jo edhe të bëjë fluturime testuese.   

Hangari në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ku ndodhet aeroplani i John Chesnut, Foto:Kallxo.com

“Te dera ishte vendosur një kamion pastrues i borës dhe nuk kishte shanse që dera të hapej, unë nuk u lejova që të fluturoj”, tha Chesnut për Gazetën JnK në njërën nga përpjekjet e tij për të bërë një fluturim testues të aeroplanit të tij.   

Pas gati 23 muajve, më 1 gusht të këtij viti John Chesnut është lejuar nga LIMAK-u për të bërë fluturimin e parë testues të aeroplanit të tij të bllokuar në hangarin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Pa kaluar tri javë nga fluturimi i parë testues, Chesnut përsëri ka bërë kërkesë për një tjetër fluturim testues për aeroplanin e tij. Edhe kësaj here LIMAK-u nuk e ka refuzuar kërkesën e Chesnut, kështu që më 18 gusht ai realizoi ‘touch and go-të’ e nevojshme për mirëmbajtjen e aeroplanit të tij.

Drejtori i Agjencionit të Aviacionit Civil, Dritan Gjonbalaj ka thënë që tarifat e parkimit të avionëve, nuk janë tarifa aeronautike të rregulluara nga AAC.  

“Rregullimi i këtyre tarifave dhe mbikëqyrja e zbatimit të tyre është jashtë fushëveprimit të AAC-së në Kosovë. Kjo është një marrëveshje kontraktuale mes dy palëve. Megjithatë, nëse ka ndonjë element të kësaj mosmarrëveshje që mund të përfshihet në fushëveprimin tonë, ne do të ndërmarrim veprime të menjëhershme”, thuhet në përgjigjen e Gjonbalajt.

John Chesnut është shprehur se me kalimin e kohës aeroplani amortizohet për shkak të mos fluturimit për një kohë të gjatë dhe për këtë është e nevojshme të bëhen fluturimet testuese, që ai të jetë i sigurtë për fluturim

Ai e ka dërguar rastin në gjykatë në vitin 2017 dhe në aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës në muajin janar të vitit 2018 thuhet që LIMAK-u urdhërohet që t’i lejojë qasje John Chesnut për të kryer veprime për mirëmbajtjen dhe ruajtjen e aeroplanit.

“Miratohet pjesërisht propozimi i propozuesit të sigurimit John Wesley Chesnut ashtu që caktohet masa e sigurimit me të cilën urdhërohet kundërshtari i sigurimit LIMAK Kosovo International Airport, me seli në Prishtinë, që t’ia lejojë propozuesit të sigurimit qasjen si dhe të drejtën për kryerjen e veprimeve të caktuara të nevojshme për të ruajtur dhe mirëmbajtur mjetin ajror “Piper Chirokee 28-160” i cili gjendet në hangarin (hapësirën) e kundërshtarit të sigurimit”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Por në të njëjtin aktvendim i ishte refuzuar propozimi me të cilin kishte kërkuar që LIMAK-u menjëherë t’ia dorëzojë Chesnut-it në posedim aeroplanin “Piper Cherokee”.

John Chesnut kishte parashtruar ankesë kundër vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, por Gjykata e Apelit e Kosovës në aktvendimin e muajit shkurt të vitit 2018 e kishte vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Kolegji miraton vlerësimin e gjykatës së shkallës së parë se janë plotësuar kushtet e përcaktuara me nenin 297 të LPK-së, për caktimin e masës së sigurimit, për arsye se pala paditëse e ka bërë pjesërisht të besueshëm ekzistimin e rrezikut real se pa caktimin e masës së propozuar, pala propozuese e sigurimit do të pësojë dëm të pariparueshëm dhe se me këtë do të vështirësohej dukshëm realizimi i kërkesës”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës së Apelit.

LIMAK nuk ka pranuar të përgjigjet në lidhje me kontestin me John Chesnut për bllokimin e aeroplanit në hangarin e aeroportit, për shkak se rasti ende gjendet në gjykatë.

“Ne do të dëshironim t’ju informojmë se rasti në mes z. Chesnut dhe LKIA është në gjykatë dhe sapo gjykata të përfundojë mund të merrni të gjitha përgjigjet e mundshme për pyetjet tuaja”, përfundon përgjigja e LIMAK.   

John Chesnut ka thënë që LIMAK ka krijuar një lloj burgu për aeroplanin tij dhe po provojnë të marrin para prej tij por që ai nuk do t’i paguajë kurrë këtë shumë të parave dhe përpara kësaj është në gjendje të hyjë në burg.

“Nuk do t’i paguaj asgjë për qeranë, do të hyj në burg përpara se ta bëj këtë”, ka thënë ai. 

Në listën e tarifave dhe pagesave, në faqen zyrtare të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” thuhet që pagesa për parkimin e aeroplanëve është 1.8 euro për ton, për 24 orë.

Sipas këtij kalkulimi, shpenzimet e parkimit të aeroplanit për 1 muaj do të ishin 54 euro kurse për 23 muaj sa ka qëndruar aeroplani në hangarin e aeroportit, John Chesnut do të duhej të paguante 1242 euro.

Nëse e krahasojmë shumën prej 5,624 euro, të cilën ia ka faturuar çdo muaj LIMAK-u del që Chesnut ka paguar 104-fish më shumë në muaj se sa është përshkruar te tarifat e parkimit në aeroport.

LIMAK-u nuk  e ka shpjeguar se si është llogaritur shuma prej 5,624 euro në muaj, por kanë thënë që ekziston një procedurë se si është llogaritur ajo, por për shkak se rasti është në gjykatë nuk kanë dhënë ndonjë shpjegim shtesë.    

Fatura e muajit maj 2018, me vlerë 5,624 euro, Foto: Kallxo.com

“Me këtë rast, dua t’ju informoj se për veprimet e ndërmarra nga LKIA ekziston një vendim i bazuar në procedurë”, thuhet në përgjigjen e LIMAK për Gazetën JnK.  

Marrëveshja e ‘dyshimtë’ me Policinë e Kosovës për shfrytëzimin e hangarit

Paraprakisht, John Chesnut e kishte njohur ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Nuredin Ibishin me të cilin, si fqi që e kishte, qysh në fillim kishte biseduar në lidhje me shfrytëzimin e hangarit të Policisë së Kosovës në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Nuredin Ibishi ka thënë për Gazetën JnK se pasi ka marrë vesh që John po e sjellë një aeroplan në Kosovë për trajnimin e të rinjëve për aktivitete aeronautike ka filluar të hulumtojë për mundësinë që aeroplani të vendoset në një hangar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës që ka qenë i Policisë së Kosovës.  

Me 22 gusht të vitit 2016, aeroplani “Piper Chirokee” ishte vendosur në hangar, pasi John Chesnut kishte pranuar çelësat e hangarit nga Policia e Kosovës me një formular të dorëzim/pranimit. 

Formulari i dorëzim/pranimit të çelësave të hangarit nga PK, Foto: Kallxo.com

Por Departamenti për Partneritet Publiko – Privat, i cili operon në kuadër të Ministrisë së Financave ka thënë për Gazetën JnK që të gjitha asetet e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, që përkufizohen në kontratë janë në pronësi të Ndërmarrjes Publike “ANP” Sh.A. dhe si rrjedhojë ato janë në shfrytëzim të LIMAK gjatë tërë kohëzgjatjes së kësaj kontratës.

“Të gjitha asetet e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, të cilat përkufizohen në kontratën PPP (09-001-611) janë në pronësi të Ndërmarrjes Publike “ANP” Sh.A. dhe si rrjedhojë këto asete janë në shfrytëzim të partnerit privat gjatë tërë kohëzgjatjes së kësaj kontrate të koncesionit PPP. Për më shumë detaje të tjera mbi mënyrën e shfrytëzimit dhe specifikat teknike të këtyre hangarëve, ju lutem drejtohuni partnerit privat”, thuhet në përgjigjen e Departamentit për Partneritet Publiko – Privat që është në kuadër të MF-së.

Edhe pse John Chesnut e ka pranuar çelësin e hangarit nga Policia e Kosovës, ata zyrtarisht nuk janë pronarë të hangarit ku John e ka parkuar aeroplanin.

“Hangari është pronë e Aeroportit të Prishtinës. Rreth procedurave të manaxhimit të hangarit, pyetjet mund t’i drejtohen menaxhmentit të Aeroportit”, përfundon përgjigja e Policisë së Kosovës për Gazetën JnK.    

Pastrimi i hangarit dhe përgatitja e tij për aeroplanin e John Chesnut, Foto: Kallxo.com

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Nuredin Ibishi është shprehur i habitur se pse LIMAK-u nuk e ka kontestuar që në fillim vendosjen e aeroplanit në hangar.

“Policia asnjëherë nuk ka paguar qera, po të ishte sigurt e tyre (LIMAK-ut), na kishin kontestuar me fillim kur e kemi dërguar aeroplanin, ndërkohë ata e kanë bërë për inati”, ka thënë Ibishi.  

Më pak se një muaj nga vendosja e aeroplanit në hangar, me 12 shtator të vitit 2016, Agjencia për Menaxhim të Emergjencave, që është në kuadër Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) ka bërë një marrëveshje me Shoqatën e Entuziastëve të Aviacionit (AES).

Është rënë dakord, që AES me aeroplanin e John Chesnut të fluturojnë sipas nevojës në zonat e goditura nga fatkeqësitë natyrore që kanë nevojë për mbikëqyrje pasi kushtet e motit ta lejojnë. Të bëjnë dy herë fluturimet mujore të inspektimit siç kërkohet nga Agjencia për Menaxhim të Emergjencave.  

“Evakuimi emergjent për arsye mjekësore ose për arsye të tjera urgjente zyrtare. Merrni lejen GAT / KFOR për të gjitha fluturimet. AES do të paguajë të gjitha tarifat normale të aviacionit që lidhen me fluturimin si tarifat e ngritjes dhe uljes”, thuhet në marrëveshje.

Nga ana tjetër Agjencia për Menaxhim të Emergjencave ka rënë dakord që ta bëj të disponueshëm hangarin e MPB-së pa ndonjë pagesë për qeranë apo përdorimin e ndërtesave për pilotët, stafin dhe aeroplanët në pronësi ose të drejtuar nga AES.   

Marrëveshja mes AES dhe Agjencisë për Menaxhim të Emergjencave, Foto: Kallxo.com

Në përgjigjen e MPB-së për Gazetën JnK thuhet që Departamenti për Siguri Publike nuk është përgjegjës për menaxhimin e hapësirave të aeroportit, andaj DSP-ja nuk ka dhënë asnjë leje për shfrytëzim të hapësirave në aeroporti (si dhe për rastin konkret të hangarit në aeroport).

John Chesnut ka thënë që nuk mund ta pranojë që është gënjyer nga Policia e Kosovës në lidhje me hangarin.

“Një vit më parë aty ishte një tabelë ku shkruhej shumë qartë “Policia e Kosovës”, kam edhe fotografi të saj. Të gjithë e dinë që është hangari i Policisë, kështu që unë supozova që ajo që u tha ishte e vërtetë, nëse nuk do të ishte e vërtetë do të dëshiroja që mos të më lejonin të qëndroja sepse unë kam operuar për tri vite në Maqedoni pa asnjë problem, kurrë”, ka thënë Chesnut.    

Tabela me mbishkrimin “Policia e Kosovës” në hangar, Foto: Kallxo.com

Kontesti mes John Chesnut dhe LIMAK është duke vazhduar. Tashmë janë bërë 28 kërkesa për fluturime testuese nga John Chesnut drejtuar Agjencisë së Aviacionit Civil, dhe 26 të tilla janë refuzuar nga LIMAK.

“Unë kam jetuar këtu për 18 vite kështu që unë dua të shoh diçka të mirë, vajza ime u bë pilote këtu, ajo filloi trajnimin këtu, pilotët kosovarë mund ta bëjnë të njëjtën gjë. Kjo është një mundësi për të rinjtë që të bëhen pilotë, të bëhen mekanikë. Nuk e kuptoj, pse të rinjtë kosovarë që duan të bëhen pilotë duhet të shkojnë në Kroaci, në Serbi, në Maqedoni, mund të bëhet edhe këtu në Kosovë”, ka thënë John Chesnut për Gazetën JnK.