Adem Grabovci Flet për Skenarët e Votimit për President
Koalicioni qeveritar nuk përjashton asnjë opsion të zgjedhjes së Presidentit, madje as atë të mbajtjes së seancës së votimit në ndonjë sallë alternative.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, foli sot për skenarët e zgjedhjes së Presidentit pa dhënë datë se kur mund të mbahet një seancë për këtë çështje.
Deri më tani, kandidatura e vetme për President të vendit është kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, i cili ka tash e disa javë është në fushatë vizitash nëpër komuna ku po takohet me bazën e partisë të cilën duhet ta braktisë nëse votohet për postin e kreut të shtetit.
Grabovci sot tha se nuk do të ketë vakuum institucional.
“Nuk do të kemi vakum institucional. Ajo që mund t’i garantoj qytetarët është që Presidenti do të zgjedhet me mbi 2/3 e votave”, tha Grabovci.
Ai nuk përjashtoi mundësinë që Thaçi të ketë ndonjë kundërkandidat për këtë post.
Madje, një vendim i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2011 e obligon që zgjedhja e Presidentit të bëhet me dy apo më shumë kandidatë në garë.
Për ta paraqitur një kandidaturë, duhet që në mbështetje t’i dalin së paku 40 deputetë.
Por a do të mundet që seanca për votimin e Thaçit të mbahet në sallën e seancave?
Për Grabovcin kjo nuk ka rëndësi sado që për Ramush Haradinajn e opozitës kjo nuk do të ndodh.
“Kushtetuta nuk e parasheh vendin apo hapësirën se ku duhet të mbahet dhe nuk e bën të drejtë dhe të padrejtë hapësira se ku mbahet ai takim, por e bën kuorumi”, tha Grabovci.
“Nëse nuk mbahet në sallën kryesore mund të mbahet në sallë alternative. Kishte me qenë shumë mirë dhe e shëndetshme për opozitën që të jenë pjesëmarrës atë ditë dhe ta jetojnë atë moment shumë të rëndësishëm edhe për familjet e tyre dhe për interesat e partive të tyre”, u shpreh ai. [interaction id=”56bdf52fe55f8d3b22c32b2b”]