Rama: I kemi dhënë Shqipërisë një president normal

Kryeministri Edi Rama deklaroi se tashmë Shqipëria do të ketë një president normal.

Pas përfundimit të votimit në Kuvend, Rama u shpreh në një deklaratë për mediat, se Bajram Begaj është një figurë e pakontestueshme.

“I kemi dhënë Shqipërisë një president normal, një figurë të pakontestueshme në aspektin e integritetit, humanizmit dhe patjetër edhe përkushtimit për vendin. Partia Socialiste është këtu për Shqipërinë dhe jo për veten. Ajo që ka rëndësi për të sotmen dhe të ardhmen është që Shqipëria pas një periudhe dramatike në zyrën e Kreut të Shtetit, do të ketë një president normal për një vend normal”, tha Rama.

Bajram Begaj është zgjedhur Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë. Në votimin që u krye në seancën plenare në Kuvend, morën pjesë 83 deputetë.

Begaj u zgjodh me 78 vota pro, teksa 4 deputetë votuan kundër dhe pati një abstenim./Euronews.al