Abelard Tahiri i reagon Vuçiqit: Kërcënimet nuk do ta ndalin zbardhjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri reagon ndaj atyre që i ka quajtur manipulime të shfaqura në opinionin publik nga ana e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me procedurat që janë duke u zhvilluar në rastin e hetimeve për vrasjen e politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq.

Sipas ministrit, deklaratat e fundit të Vuçiqit paraqesin kërcënim direkt ndaj qytetarëve serbë të Kosovës që bashkëpunojnë me organet e sistemit të drejtësisë së Republikës së Kosovës për zbardhjen e të vërtetës dhe vendosjen e përgjegjësve para ligjit.

“Vuçiq, si edhe në të kaluarën, po vazhdon të manipulojë opinionin publik lidhur rastin e vrasjes së politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq. Pjesë e këtij manipulimi të radhës, është prezantimi që dje presidenti serb i bëri “dokumenteve të pretenduara” të Prokurorisë së Republikës së Kosovës, ku thuhet se si dëshmitare e këtij rasti ka qenë edhe shtetasja Rada Trajkoviq”, tha thënë Tahiri.

KRIK, një media hulumtuese në Beograd, raportoi sot se Prokuroria Speciale e Kosovës e ka vënë edhe biznesmenin e njohur nga veriu, Zvonko Veselinoviq, njeri i afërt i Vuçiqit, në listën e të dyshuarve për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

https://kallxo.com/krik-edhe-zvonko-veselinoviq-i-dyshuar-ne-rastin-e-vrasjes-se-oliver-ivanoviqit/

Duke folur për deklaratat e Vuçiqit, ministri Tahiri tha se një shfaqje e tillë nuk është asgjë tjetër vetëm se një “përpjekje e ulët për të penguar hetimet në lidhje me zbardhjen e të vërtetës për këtë vrasje”.

“Në qendër të këtyre orkestrimeve të presidentit serb, është qëllimi për t’i frikësuar dëshmitarët dhe qytetarët serb të Kosovës që i besojnë sistemit të drejtësisë së Republikës së Kosovës dhe që do të mund të bashkëpunonin me Prokurorinë e Republikës së Kosovës lidhur me hetimin e këtij rasti”, tha Tahiri.

“Ky diskurs i paprecedent dhe tendencioz i cili synon të pengojë me çdo mjet zbardhjen e rastit Ivanoviq, përfshirë me këtë rast shantazhin dhe kërcënimet, është i papranueshëm”, shtoi ai.

Sipas ministrit kosovar të Drejtësisë, është i njohur tashmë fakti se kërkesat e institucioneve të Kosovës ndaj autoriteteve serbe për bashkëpunim juridik në rastin Ivanoviq janë bllokuar pikërisht në çastin kur dyshimet e bazuara e kanë pasur një adresë, Milan Radojçiqin i cili, siç tha Tahiri, relacionet e tij me presidentin e Serbisë Vuçiq i ka aq të ngjeshura dhe direkte.

“Kështu, në vend të bashkëpunimit dhe vendosjes para drejtësisë së të dyshuarit kryesor, presidenti serb i ofron atij mbrojtje politike. Prandaj ai tenton që në të njëjtën kohë ta manipuloj opinionin publik si dhe ta pengojë punën e organeve kompetente në zbardhjen e të vërtetës”, tha ministri i Drejtësisë.

“Mirëpo, pavarësisht këtyre presioneve, qytetarët e Kosovës dhe veçmas ata të komunitetit serb duhet të jenë të sigurt se drejtësia herët a vonë do ta sjellë para përgjegjësisë autorin e këtij krimi”, tha Abelard Tahiri.

“Kërcënimet e kësaj natyre nga krerët e shtetit serb, nuk do ta ndryshojnë dinamikën dhe vendosmërinë e organeve të sistemit të drejtësisë së Republikës së Kosovës për ta zbardhur këtë rast sa më parë që është e mundur”, tha ministri i Drejtësisë në deklaratën e tij.