Foto: Facebook

AAK: Komuna e Rahovecit, Punësime Familjare

Dega e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Rahovec akuzon partinë në pushtet në këtë komunë – PDK-në për nepotizëm në arsim.

Smajl Latifi, kryetar i degës së AAK-së tha për KALLXO.com se drejtori i Financave në Komunën e Rahovecit, Lulzim Sylejmani, ia ka plotësuar normën e punës vëllait të tij Neki Sylejmani pa i përfillur kushtet ligjore.

“Neki Sylejmanit, vëllai i drejtorit të Financave, Lulzim Sylejmani, i është plotësuar norma në Shkollën Profesionale pa u hapur konkurs… Kjo tregon se arsimi në këtë komunë është politizuar dhe familjarizuar” tha ish-kryetari i Komunës, Smajl Latifi.

Ndërsa, drejtori i Financave nuk e mohon se vëllait të tij i është plotësuar norma e punës edhe për pesë orë. Por thotë se atij i janë rikthyer orët e marra nga qeverisja e kaluar.

“Vëllai im ka qenë duke punuar në Shkollën Profesionale edhe me herët. Ndërsa në arsim është duke punuar prej vitit 2002. Por, me ardhjen në pushtet, Smajl Latifi e ka larguar nga puna në Shkollën Profesionale, duke ia marrë orët me qëllime politike. Ndërsa me ardhjen në pushtet të PDK-ës, Drejtoria e Arsimit vëllait tim ia ka kthyer orët që i ka pasur” tha Lulzim Sylejmani.

E ish-kryetari i Komunës e pranon që e ka larguar Neki Sylejmanin nga Shkolla Profesionale, por thotë që ai ka ardhur edhe në atë kohë pa i plotësuar kushtet ligjore dhe pa konkurs dhe ka qenë i padiplomuar.

“Është e vërtetë që e kemi larguar pasi që ka ardhur nga “dera mbrapa”, pa konkurs dhe nuk i ka plotësuar kushtet, pasi ka qenë i padiplomuar. Ndërsa, ne e kemi lënë vetëm mësimdhënës në shkollën fillore në fshatin Pataqan i Ulët” tha Smajl Latifi.

KALLXO.com ka kontaktuar për këtë rast edhe drejtoreshën e Arsimit në Komunën e Rahovecit.  Vjollca Vuçitërna tha se Neki Sylejmani është duke punuar arsimtar i matematikës dhe TIK-ut në shkollën fillore në Pataqan dhe se për plotësim të orëve është bartur edhe në Shkollën Profesionale. Ajo e pranoi që nuk ka pasur konkurs për këto orë, por tani me rekomandim të Inspektoratit të Arsimit është hapur konkurs i brendshëm.

“Nuk ka pasur konkurs për këto orë, por në janar të këtij viti pas rekomandimit të Inspektoratit të Arsimit është hapur konkurs për këto orë, të cilat edhe me konkurs i ka fituar Neki Sylejmani” tha drejtoresha e Arsimit Vjollca Vuçitërna.

Po ashtu, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me mësimdhënësin në fjalë. Neki Sylejmani ka treguar se në arsim punon që nga viti 2002 dhe se për plotësim të orëve kishte konkurruar në vitin 2011 në Shkollën Profesionale, ku thotë se është pranuar pa konkurs.

“Pastaj, në vitin 2012 janë shpallur orët e lira dhe Komuna e udhëhequr nga Smajl Latifi nuk më ka pranu dhe me ka lënë vetëm me 15 orë në shkollën fillore në Pataqan. Arsyeja pse nuk m’i kanë dhënë këto orë është vetëm politike, pasi që unë dhe familja ime jemi në PDK”, ka deklaruar për KALLXO.com Neki Sylejmani, i cili shton se Smajl Latifi në atë kohë i kishte thënë se “nuk ke m’i marrë këto orë deri sa jam kryetar”.

“Me ardhjen në pushtet të PDK-së unë i kam marrë këto orë prapë në vitin 2014 edhe pse kam qenë i padiplomuar ende në atë kohë. Ndërsa tash jam i diplomuar dhe në janar të këtij viti është hapur konkursi, ku unë kam konkurruar dhe jam pranuar, por jo si vëllai i drejtorit por si mësimdhënës, pasi që prej vitit 2002 jam në arsim duke punuar dhe nesër nëse vjen dikush me kualifikim më të lartë se unë do t’ia lëshoj vendin pa problem” ka thënë ai.

Neki Sylejmani në kohën kur ishte pranuar mësimdhënës i matematikës në Shkollën Profesionale, në vitin 2014,  ishte absolvent. Ndërsa tash ai ka diplomuar në Universitetin e Prizrenit, drejtimi Teknologji Informative dhe Komunikim. Ai tash ka diplomë bachelor për shkenca  kompjuterike.