AAK ‘e Befasuar’ me Vendimin e Drejtësisë Franceze

Pas njoftimit për lirimin me kusht të Ramush Haradinajt i menjëhershëm ka qenë reagimi i partisë së tij.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është shprehur “e befasuar” me vendimin e sotëm të autoriteteve gjyqësore franceze, që Haradinaj të mos kthehet në Kosovë.

“Ne konsiderojmë se vendimi që ai të lirohet nga paraburgimi, por jo edhe t’i lejohet kthimi në atdhe, nuk është drejtësi e plotë”, konstaton AAK.

Partia u bën apel organeve të drejësisë në Francë që të përshpejtojnë procedurat dhe t’i japin fund çfarëdo mase kundër Ramush Haradinajt, “meqë ai i ka spastruar të gjitha pretendimet për krime lufte në procesin gjyqësor në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte në Ish- Jugosllavi”.

AAK u bën thirrje të gjithë mbështetësve të Haradinajt të vazhdojnë përkrahjen për të, por që ajo të jetë e qytetëruar dhe e dinjitetshme.

Në reagimin e saj, AAK shprehet e bindur se mbajtja e Haradinajt në Francë dhe procesi kundër tij, i inicuar me fletarrest politik të Serbisë, do të marrë epilog pozitiv shumë shpejt.

Sot, avokati i Ramush Haradinajt, Arianit Koci, tha për KALLXO.com se autoritetet gjyqësore e kanë liruar me kusht të mbrojturin e tij. Sipas tij, Haradinaj do të vazhdojë të mbetet në Francë, ku tek autoritetet franceze do të paraqitet dy herë në javë.

http://kallxo.com/haradinaj-lirohet-kusht/

Ramush Haradinaj qe arrestuar më 4 janar në aeroportin e Basel-Mulhouse nga autoritetet franceze në bazë të një fletarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia më 2004.

http://kallxo.com/arrestohet-ne-france-ramush-haradinaj/

Të nesërmen e arrestimit, Gjykata e Apelit e Colmarit kishte urdhëruar mbajtjen e Haradinajt në paraburgim në pritje të pranimit të një kërkese formale për ekstradim nga Serbia.

http://kallxo.com/franca-e-mban-haradinajn-ne-paraburgim/