AAK dhe NISMA, Marrëveshje Parazgjedhore

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën kanë nënshkruar sot marrëveshje parazgjedhore, e cila ndër të tjera kërkon zgjedhje të reja në vend.

Marrëveshja është nënshkruar nga kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe ai i Nismës, Fatmir Limaj.

Ata kanë ftuar të gjithë ata që dëshirojnë t’i bashkohen këtij boshti opozitar, të cilin e kanë quajtur edhe koalicion fitues që do të japë ndryshimin në Kosovë.

“Deri tani kemi qenë të bashkuar në kundërshtimin ndaj këtij koalicioni qeverisës. Nga sot NISMA dhe AAK e thellojnë bashkëpunimin e tyre në një koalicion parazgjedhor”, tha Fatmir Limaj.

Ai shtoi se janë të hapur edhe për forca të tjera politike.

“Bashkëpunimi ynë si koalicion lë dyert e hapura për të gjitha forcat politike, shoqërinë civile, intelektualë, qytetarë të cilët nuk pajtohen me gjendjen aktuale në të cilën është vendi ynë,” tha Limaj.

Ndërsa i pari i AAK-së, Ramush Haradinaj shtoi se ky thellim është bërë për ta ndryshuar gjendjen në vend.

“Ne bashkohemi në një opsion fitues për të ndryshuar gjendjen në vend, pra ne thellojmë këtë bashkëpunim, bashkim në vepër, edhe si ftesë që së bashku ta ndryshojmë gjendjen në vend”, tha Haradinaj.

marreveshja NISMA-AAK

I pyetur për kënd kanë vija të kuqe, Fatmir Limaj tha se ato janë të shkruara në marrëveshje, por në marrëveshjen e dërguar nga këto dy subjekte opozitare nuk specifikohet asgjë.

“Marrëveshja është publike. Merreni lexojeni dhe aty marrëveshja tregon kush i ka dyert e hapura për t’ju bashkuar këtij boshti fitues dhe me kënd ne nuk shkojmë në koalicion parazgjedhor”, theksoi ai.