Presidenti Hashim Thaçi - Foto: Facebook

A e bën dallimin mes konfliktit dhe luftës presidenti Thaçi?

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në fjalimin e mbajtur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke folur për përleshjen e armatosur ndërmjet Serbisë në njërën anë dhe UÇK-së dhe NATO-s në anën tjetër, ka përmendur dy terme: konflikt dhe luftë.

“Falë jush, u mësua për dhunën sistematike, spastrimin etnik, mijëra qytetarë të pafajshëm që sot nuk janë më në mesin tonë, mijëra që ende janë të zhdukur dhe përmbi 20.000 gra që ende jetojnë me dhimbjen dhe stigmën e dhunës seksuale të përjetuar gjatë luftës, nga Serbia”, ka thënë presidenti dje.

Ndërsa, në kundërpërgjigjen e tij ndaj deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, presidenti Thaçi në vend të termit “luftë” ka përdorur termin “konflikt”.

“Por, meqë u përmendën gjëra jo të qëndrueshme detyrohem të përmend disa fakte. I pëlqeu dikujt apo jo shteti i Serbisë  në konfliktin e Kosovës ka vrarë 13.550 civilë shqiptarë, janë dhunuar 20.000 femra shqiptare… Për këto asnjë i akuzuar e lëre më i dënuar. 1 milion shqiptarë të dëbuar me dhunë, 40% shkatërrime, 400 masakra kundër shqiptarëve, asnjë i akuzuar e lëre më i dënuar”, tha Thaçi në mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të thirrur nga Serbia dhe Rusia, pas transformimit të FSK-së në Ushtri të Kosovës.

https://kallxo.com/ne-ks-te-okb-se-thaci-i-permend-masakrat-e-dhunimet-e-kryera-nga-serbia-ne-kosove/

Sipas fjalorit të gjuhës së sotme shqipe, termat e përmendur nga presidenti Thaçi – “konflikt” dhe “luftë” kanë dallime të mëdha.

Konflikti, sipas fjalorit,  është “mosmarrëveshje e thellë ndërmjet dy njerëzve a dy palëve, ndeshje e ashpër; acarim i marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve që çon deri në luftë të armatosur”.

Kurse, lufta, sipas fjalorit të gjuhës së sotme shqipe, është “ndeshje e armatosur ndërmjet shtetesh a forcash kundërshtare, që zhvillohet zakonisht me një varg betejash; koha sa vazhdon kjo ndeshje dhe gjendja që krijohet ndërmjet palëve që ndeshen; përleshje e armatosur ndërmjet forcash ushtarake kundërshtare në një vend të caktuar, betejë, luftim”.