Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

6 Vjet e 10 Muaj Burg për Shpërthimin që Vrau Dy Njerëz

Më 15 mars të vitit 2008 në Prishtinë një bombol gazi që shpërtheu teksa po furnizohej një pompë, kishte shkaktuar vdekjen e Bekim Muharremit dhe Ismajl Sadikut dhe lëndimin e Naser Dragushës, Meriton Demirit dhe Abbade Aylew-it.

Më shumë se nëntë vjet pas këtij shpërthimi, sot Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli fajtorë dhe dënoi të akuzuarit e këtij procesi.

Muhamet Prapashtica, pronari i kompanisë “M Gas Petrol”, gjatë furnizimit të së cilës shpërtheu bombola,  u dënua me 4 vjet e 10 muaj burg.

Prapashtica në këtë proces gjyqësor akuzohej për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Besnik Sadiku, pronari i kompanisë “P- Gas”, autocisterna e së cilës po furnizonte pompën kur ndodhi shpërthimi, u dënua me 6 muaj burg.

Edhe Sadiku akuzohej për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

1 vit burg i shqiptua Ahmet Frangut që në kohën e shpërthimit ishte kryeinspektor i tregut, ndërsa Nafije Osmani, inspektore e tregut u dënua me 6 muaj burg.

Osmani ka mundësi që dënimin e shqiptuar ta kthejë në dënim e gjobë.

Frangu e Osmani ngarkoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi ia kishin mundësuar kompanisë “M-Gas Petrol” dhe “P- Gas” të punojnë pa leje.

KALLXO.com e ka ndjekur vazhdimisht këtë proces gjyqësor.

http://kallxo.com/shtyhet-seanca-e-gjykimit-per-shperthimin-e-bombolave-te-gazit/

http://kallxo.com/nderpritet-seanca-ne-gjykimin-per-shperthimin-e-bombolave-te-gazit/

http://kallxo.com/per-shperthimin-tragjik-te-bombolave-te-gazit-deshmon-akuzuari/