Shpallja e aktgjykimit të Avni Ahmetit, Foto: Kallxo.com

6 muaj burg me kusht për ish-inkasantin e ujësjellësit në Mitrovicë

Gjykata Themelore e Mitrovicës ka shpallur aktgjykim ndaj ish-inkasantit të ujësjellësit në Mitrovicë.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi i rastit, Radoslav Markoviq, ish-inkasanti i Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”, Avni Ahmeti, është dënuar me gjashtë muaj burg me kusht.

Ky dënim sipas gjykatësit Markoviq nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën prej dy viteve i akuzuari nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.

Prokuroria Themelore e Mitrovicës e akuzon Ahmetin për veprën penale “përvetësim në detyrë “.

Sipas Prokurorisë, në muajin mars të vitit 2018, si person zyrtar – inkasant në kompaninë e ujësjellësit “Mitrovica” ka përvetësuar shumën e parave prej 263.40 euro.

Prokuroria thotë se i njëjti këtë e ka bërë me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, duke keqpërdorur kështu paratë që i janë besuar për shkak të detyrës.

Gjithnjë sipas akuzës, kur qytetarët e ndryshëm të cilët përmenden në akuzë kishin shkuar të bënin pagesën, i pandehuri Avni Ahmeti një pjesë të shumës së paguar, e cila ka qenë e ndryshme për secilin qytetar e ka përvetësuar për vete.

Ai këtë e ka bërë duke mos e deklaruar në tërësi shumën e paguar nga qytetarët.

Ndryshe, Ahmeti e kishte pranuar fajësinë për veprën me të cilën ngarkohet nga Prokuroria që në seancën e shqyrtimit fillestar, të mbajtur me 15 janar, në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.

Por shpallja e aktgjykimit nuk ishte bërë atë ditë për shkak se prokurori i rastit kishte kërkuar që të vërtetohej nëse paratë e përvetësuara nga i pandehuri i janë kthyer kompanisë.

Me ç’rast paraprakisht në seancën e mbajtur sot përfaqësuesi i kompanisë se ujësjellësit, Mentor Sejdiu ia ka dorëzuar gjykatës shkresën përmes së cilës është vërtetuar se i njëjti ia kishte kthyer paratë e përvetësuara kompanisë së ujësjellësit.