15 Arsimtarë Mbesin pa Paga, Rrezikojnë Edhe 24 Tjerë

Do të duhej të ishin në mësim me ditarë në dorë, por 15 punëtorë prizrenas të arsimit në shkollën ekonomike “Ymer Prizreni” kanë dalë në protestë për shkak se kanë mbetur jashtë listës së pagave tash e disa muaj.

Ata punojnë në shkollën “Ymer Prizreni” por pagat deri vonë i kanë marrë nga Agjencioni për Aftësim dhe Arsim Profesional dhe Arsimit të të Rriturve.

Kështu ka qenë tash e dy vjet kur ky institucion kishte lidhur marrëveshje me Drejtorinë Komunale të Arsimit në Prizren që komuna t’i marrë obligimet për pagesën e tyre.

Arsimtarët thonë se nuk kishin qenë në dije për këtë memorandum, ndërsa këtë vit ishin njoftuar se pagat i marrin nga agjencioni e jo nga drejtoria e arsimit ku edhe punojnë.

Përderisa 15 nga 39 mësimdhënës janë larguar nga lista e pagave, edhe 24 të tjerët do të largohen nga pagesa në dhjetor të këtij viti. Të gjithë këta mësimdhënës janë me normë të plotë dhe me vendim në shkollën ekonomike “Ymer Prizreni”

Fadil Buqaj, profesor në shkollën ekonomike “Ymer Prizrenit”, thotë se ata nuk kjanë pyetur kur janë futur në listë tjetër të pagave, pavarësisht se janë punëtorë të shkollës ekonomike.

“Ne na kanë çu në qendrën e kompetencës pa na pyetur fare. Derisa ne punojmë në shkollën e mesme ekonomike nuk e di çfarë malli jemi ne për kusuritje”, thotë Buqaj.

Drejtorit komunal i arsimit, Zehadin Shemsedini, u tha arsimtarëve se është në dijeni me rastin e tyre dhe ka pasur takim edhe me Ministrin e Arsimit lidhur më këtë problem.

“Pagesa e këtyre punëtorëve të bëhet nga ana e agjencionit deri në rishikim të buxhetit nga ana e Kuvendit të Kosovës. Në bazë të aneks-marrëveshjes është çdo gjë në rregull dhe ne nuk e kemi pritur këtë edhe pse ka qenë kërkesë e drejtorit të agjencionit që të largohen, mirëpo në bisedë me të që kam pasur edhe atij i kam thënë, se në bazë të marrëveshjes, nuk guxon që punëtorët të mbesin pa paga”, tha Shemsedini.

Fadil Buqa, i cili përfaqësonte profesorët e mbetur pa paga, tha se nëse nuk bëhet zgjidhje së shpejti, do të marrin hapat edhe të ndërprerjes e procesit mësimor.

Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur më MAShT, Ragip Gjoshi, tha për KALLXO.com se këta arsimtarë do të kenë vonesa në rroga, por pagesa e tyre do të bëhet me rishikimin e buxhetit nga Kuvendit i Kosovës.

Ai tha se kanë pasur një marrëveshje me komunën e Prizrenit, që komuna t’ua paguajë këtyre punëtorëve shpenzimet komunale. Edhe Gjoshi e lidhi mungesën e pagave për këta punëtorë me mosrishikimin e buxhetit nga Kuvendi i Kosovës.

Ai nuk dha përgjigje se pse arsimtarët nuk po paguhen sipas memorandumit.