Studimi: Aspirina mund të ndihmojë në uljen e rrezikut të një sulmi të dytë në zemër

Përdorimi apo konsumi i aspirinës mund ta zvogëlojë rrezikun e një ataku të dytë në zemër ose goditje në tru, por në mbarë botën, shumë njerëz nuk po e perdorin aspirinën.

Për të rriturit që i kanë mbijetuar një sulmi në zemër ose goditje në tru, marrja e aspirinës në mënyrë të rregullt mund ta zvogëlojë rrezikun e një ngjarje tjetër kardiovaskulare. Megjithatë, një studim i ri sugjeron se më pak se gjysma e këtyre pacientëve me sëmundje kardiovaskulare në mbarë botën po përdorin aspirinë për ta parandaluar një ngjarje të re.

Në mesin e njerëzve me një histori të sëmundjeve kardiovaskulare që u anketuan në studimin e ri, vetëm rreth 40% raportuan se merrnin aspirinë për ta parandaluar një sulm tjetër në zemër, goditje në tru ose ngjarje kardiovaskulare.

Përqindja e pacientëve që përdorin aspirinë për ta reduktuar rrezikun e një ngjarje dytësore ndryshonte sipas vendit, megjithatë, duke filluar nga 16.6% në vendet me të ardhura të ulëta si Afganistani, Benini dhe Etiopia në 65% në vendet me të ardhura të larta si Çekia, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA, sipas studimit, të publikuar të martën në revistën mjekësore JAMA.

Parandalimi dytësor i referohet përdorimit të aspirinës për ta reduktuar rrezikun e një ataku të dytë ose shtesë në zemër ose goditje në tru. Është i ndryshëm nga parandalimi parësor – përdorimi i aspirinës për ta zvogëluar rrezikun e një sulmi të parë në zemër ose goditje në tru.

Ndryshe nga parandalimi parësor, ku raporti rrezik-përfitim i aspirinës nuk është aq i qartë, hulumtimet e disponueshme mbi parandalimin dytësor tregojnë se përfitimet e marrjes së aspirinës janë shumë më të mëdha se rreziqet për njerëzit që kanë pasur një sulm në zemër ose goditje në tru.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka një objektiv që të paktën 50% e atyre njerëzve të kualifikuar të marrin një lloj terapie me ilaçe dhe këshillim për t’i parandaluar sulmet në zemër dhe goditjet në tru.

Sipas OBSH, sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekjeve në mbarë botën, duke marrë rreth 18 milionë jetë çdo vit. Është vlerësuar se më shumë se 4 në 5 vdekje nga sëmundjet kardiovaskulare janë për shkak të sulmeve në zemër dhe goditjeve në tru. Për shkak se aspirina ndihmon në tëhollimin e gjakut, kjo mund të ndihmojë në zvogëlimin e rrezikut të bllokimeve në arteriet që mund të shkaktojnë një sulm në zemër ose goditje në tru.

Ku përdoret aspirina

Për studimin e ri, Dr. Sang Gune Yoo, autor i studimit dhe bashkëpunëtor i sëmundjeve kardiovaskulare në departamentin kardiovaskular në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Uashingtonit në St. Louis si dhe kolegët e tij nga Universiteti i Uashingtonit, Universiteti i Miçiganit dhe institucione të tjera në mbarë botën analizuan të dhënat nga 51 vende ku sondazhet u kryen midis viteve 2013 dhe 2020. Shtatë nga anketat u kryen në vende me të ardhura të ulëta, 23 në vendet me të ardhura të mesme të ulëta, 14 në vendet me të ardhura të mesme të larta dhe shtatë në vendet me të ardhura të larta.

Sondazhet përfshinin përgjigje nga më shumë se 124,500 të rritur të moshave 40 deri në 69 vjeç, të cilët raportuan historinë e tyre të sëmundjeve kardiovaskulare dhe përdorimit të aspirinës. Më shumë se 10,500 prej tyre raportuan se kishin sëmundje kardiovaskulare.

Kur studiuesit e ekzaminuan përdorimin e aspirinës tek njerëzit me një histori të problemeve kardiovaskulare, ata zbuluan se në vendet me të ardhura të ulëta, 16.6% po merrnin aspirinë për ta parandaluar një ngjarje tjetër; në vendet me të ardhura të mesme të ulëta, përdorimi ishte 24.5%; në vendet me të ardhura të mesme të larta, ishte 51.1%; dhe në vendet me të ardhura të larta, ishte 65%.

“Me njohuritë tona, studimi aktual ofron vlerësimet më të gjera dhe të përditësuara të përdorimit mbarëbotëror të aspirinës për parandalimin dytësor të CVD”, shkruajnë studiuesit, duke përdorur shkurtesën për sëmundjet kardiovaskulare.

“Gjetjet tona zbuluan pabarazi të theksuara në mbarë botën, siç ilustrohet nga përdorimi 4 herë më i madh i aspirinës për parandalimin dytësor të CVD në vendet me të ardhura të larta krahasuar me vendet me të ardhura të ulëta”, kanë shkruar ata. “Asnjë nga 30 vendet me të ardhura të ulëta ose me të ardhura mesatare më të ulëta në mostrën tonë nuk e arriti objektivin e OBSH-së që të paktën 50% e individëve të kualifikuar me një histori të CVD të marrin aspirinë. Vetëm rreth gjysma e vendeve me të ardhura të mesme të larta dhe me të ardhura të larta të përfshira në analizën tonë e arritën këtë objektiv”.

Yoo thotë se studimi nuk analizoi pse kishte dallime të tilla në përdorimin e ulët të aspirinës dhe ai tha se nevojiten më shumë kërkime për të përcaktuar nëse ajo lidhet me qasjen, me ofruesit që nuk rekomandojnë aspirinë ose faktorë të tjerë.

Në mesin e njerëzve me një histori të sëmundjeve kardiovaskulare, ka pasur më shumë përdorim të aspirinës tek ata që ishin më të moshuar, që ishin meshkuj, që kishin nivele më të larta arsimimi dhe që jetonin në zona urbane, zbuluan studiuesit.

Studiuesit thonë se gjetjet e tyre sugjerojnë se aspirina nuk përdoret si një mjet i lirë për parandalimin sekondar të ngjarjeve të sëmundjeve kardiovaskulare globalisht. 

Kush duhet të marrë aspirinë?

“Jetojmë në një kohë ku kemi terapi të pabesueshme, të vendosura mirë që janë efektive në reduktimin e rrezikut të ngjarjeve kardiovaskulare, dhe pavarësisht nga bollëku i provave që mbështesin përdorimin e tij, ne përdorim në mënyrë jooptimale shumë ilaçe që shpëtojnë jetë. Dhe ky është vetëm një shembull”, thotë Dr. Jeffrey Berger, drejtor i Qendrës për Parandalimin e Sëmundjeve Kardiovaskulare në NYU Langone Heart në Nju Jork, i cili nuk ishte i përfshirë në studimin e ri.

Ai shtoi se shumë njerëz me sëmundje kardiovaskulare që mund të përfitojnë nga stërvitja e rregullt dhe një dietë e shëndetshme gjithashtu nuk u përmbahen këtyre praktikave, ashtu siç mund të mos marrin aspirinë për parandalim dytësor.

“Aspirina ka ekzistuar për më shumë se një shekull. Është treguar të jetë efektiv në uljen e rrezikut të një ngjarjeje kardiovaskulare me afër 40 vjet, mbi katër dekada apo më shumë. Unë mendoj se njerëzit i harrojnë të dhënat dërrmuese që e mbështesin përdorimin e tij”, thotë Berger, i cili është gjithashtu profesor i asociuar në Shkollën e Mjekësisë NYU Grossman.

“Për fat të keq, ndonjëherë ka një keqkuptim të pacientëve dhe ofruesve të kujdesit shëndetësor”, thotë ai. “Unë mendoj se ka shumë pasiguri se kush duhet të marrë aspirinë për parandalimin e një sulmi të parë në zemër ose goditje në tru”.

Task Forca e Shërbimeve Parandaluese të SHBA-së rekomandon kundër të rriturve 60 vjeç e lart që të fillojnë të marrin aspirinë me dozë të ulët për parandalimin parësor të sëmundjeve kardiovaskulare, dhe për njerëzit e moshës 40 deri në 59 vjeç që kanë një rrezik 10% ose më të madh të sëmundjeve kardiovaskulare mbi 10 vjet, ia lë në diskrecion vendimin mjekëve dhe pacientëve. Por kjo është shumë e ndryshme nga dikush që ka një histori të sëmundjeve kardiovaskulare duke marrë aspirinë për ta parandaluar një sulm të dytë në zemër ose goditje në tru.

“Aspirina është thikë me dy tehe”, ka shkruar përmes një e-maili Dr. Erin Michos, drejtor i asociuar i kardiologjisë parandaluese në Johns Hopkins Medicine në Baltimore.

“Mund ta zvogëlojë rrezikun e trombozës, por kjo vjen në kurriz të rritjes së rrezikut të gjakderdhjes, kështu që ka një dritare më të ngushtë terapeutike. Një ekuilibër delikat midis rrezikut të trombozës dhe rrezikut të gjakderdhjes”, thotë Michos, i cili nuk ishte i përfshirë në studimin e ri.

“Njerëzit që kanë pasur tashmë një ngjarje kardiovaskulare, të tillë si sulmi në zemër, rivaskularizimi koronar ose goditje në tru janë në rrezik më të madh për një ngjarje vaskulare të përsëritur, kështu që ata janë në rrezik më të lartë vaskular dhe kështu përfitojnë më shumë neto nga aspirina”, thotë ajo.

Për dikë që nuk ka sëmundje kardiovaskulare, rreziqet absolute të ngjarjeve vaskulare si sulmi në zemër ose goditje në tru janë më të ulëta, por rreziqet e gjakderdhjes janë ende të krahasueshme.

Pra, për shumicën e të rriturve të shëndetshëm që do të merrnin aspirinë për parandalim parësor, “aspirina mund të shkaktojë më shumë dëm sesa përfitim,” thotë Michos. “Sidoqoftë, nga artikulli aktual duket se në mbarë botën, aspirina është ende shumë e pashfrytëzuar në parandalimin dytësor, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta”./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala