Studimi në fjalë ndoqi më shumë se 4,000 60-vjeçarë në Suedi, një vend me konsum të lartë të qumështit. Photo: CNN

Njerëzit që konsumojnë më shumë yndyrë qumështi kanë një rrezik më të ulët të sëmundjeve të zemrës

Njerëzit me konsum më të lartë të yndyrës së qumështit kanë një rrezik më të ulët të sëmundjeve kardiovaskulare krahasuar me ata që konsumojnë më pak, sipas hulumtimi të ri që studion disa nga konsumatorët më të mëdhenj në botë të produkteve të qumështit, raporton CNN.

Një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh studioi konsumin e yndyrës së qumështit të 4,150 60-vjeçarëve në Suedi-një vend me një nga nivelet më të larta në botë të prodhimit dhe konsumit të qumështit-duke matur nivelet e gjakut të një acidi yndyror të veçantë që gjendet më së shumti në ushqimet e qumështit. Ekspertët më pas ndoqën grupin për një mesatare prej 16 vjetësh për të vëzhguar se sa prej tyre kishin sulme në zemër, goditje në tru dhe ngjarje të tjera serioze të qarkullimit të gjakut, dhe sa prej tyre vdiqën.

Pas rregullimit statistikor për faktorët e tjerë të njohur të rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare, përfshirë moshën, të ardhurat, stilin e jetës, zakonet dietike dhe sëmundjet e tjera, studiuesit zbuluan se ata me nivele të larta të acidit yndyror – tregues i një marrje të lartë të yndyrave të qumështit – kishin rrezikun më të ulët të sëmundjeve kardiovaskulare, si dhe asnjë rrezik të shtuar të vdekjes nga të gjitha shkaqet tjera.

Ekipi më pas i konfirmoi këto gjetje në popullata të tjera pasi kombinoi rezultatet suedeze me 17 studime të tjera që përfshinin një total prej pothuajse 43,000 njerëzish nga SHBA, Danimarka dhe Britania e Madhe.

“Ndërkohë që gjetjet mund të ndikohen pjesërisht nga faktorë të tjerë përveç yndyrës së qumështit, studimi ynë nuk sugjeron ndonjë dëm të yndyrës së qumështit në vetvete,” deklaroi Matti Marklund, studiues në Institutin George për Shëndetin Global në Sidnei dhe autor i artikullit në fjalë, thuhet në një deklaratë.

“Ne zbuluam se ata me nivelet më të larta kishin në fakt rrezikun më të ulët të CVD (sëmundjeve kardiovaskulare). Këto marrëdhënie janë shumë interesante, por ne kemi nevojë për studime të mëtejshme për të kuptuar më mirë ndikimin e plotë shëndetësor të yndyrave të qumështit dhe ushqimeve të qumështit,” tha ai.

Autorja kryesore Kathy Trieu, studiuese në Institutin George, tha se konsumimi i disa ushqimeve të qumështit, veçanërisht produkteve të fermentuara, ishte shoqëruar më parë me përfitime për zemrën.