Prishtina dhe Fushë Kosova mbesin ende në zonë të kuqe

 

Numri i komunave që ishin në zonën e kuqe për shkak të COVID19 është zvogëluar. Tani, të vetmet zona që mbesin nën masa më të rrepta, janë vetëm Prishtina dhe Fushë Kosova.

Ministrisë së Shëndetësisë, nëpërmes një komunikate për media, bënë të ditur se në zonën e verdhë janë komunat: Suharekë, Lipjan, Obiliq, Malishevë, Junik, Vushtrri, Klinë, Prizren, Pejë, Gjakovë, Podujevë, Deçan, Kamenicë, Ferizaj, Mitrovicë e Jugut, Zveçan, Gjilan dhe Mitrovicë e Veriut.

Ndërsa në zonën e gjelbër janë: Vitia, Rahoveci, Dragashi, Drenasi, Istogu, Skenderaj, Leposaviqi, Kaçaniku, Kllokoti, Zubin Potoku, Mamusha, Novobërda, Hani i Elezit, Parteshi, Ranillugu, Shtërpca, Graçanica dhe Shtimja.

Komunat radhiten nëpër zona varësisht nga numri i qytetarëve të infektuar me COVID-19.

Zona e kuqe mbi 150 raste me COVID-19 në 100.000 banorë brenda 7 ditësh, zona e verdhë deri në 76-150 raste me COVID-19 në 100.000 banorë brenda 7 ditësh, dhe zona e gjelbër deri në 75 raste me COVID-19 në 100.000 banorë brenda 7 ditësh.

Kosova është duke luftuar me coronavirusin që nga muaji mars 2020 dhe deri më tani janë të infektuar mbi 59 mijë qytetarë, ndërsa mbi 1 mijë të tjerë kanë vdekur si pasojë e infeksionit.

Sot Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, ka bërë të ditur se nga rezultatet e mostrave për variantin e ri të COVID-19 tre persona kanë rezultuar pozitiv dhe se gjurmët dhe kontakteve të tyre janë duke u hulumtuar.

Varianti i ri me COVID-19 për herë të parë është paraqitur në Mbretërinë e Bashkuar më 14 dhjetor.