Ilustrim

OBSH: Ilaçet për humbjen e peshës, “kapitull i ri” në luftën kundër obezitetit

Organizata Botërore e Shëndetësisë u ka bërë thirrje shteteve që barnat, si “Mounjaro”, t’i bëjnë më të qasshme për njerëzit dhe u ka kërkuar kompanive farmaceutike që t’i ulin çmimet, ka raportuar të hënën (01.12.2025) britanikja “The Guardian”.

Ilaçet për humbje të peshës, të tilla si “Mounjaro”, ofrojnë mundësi të madhe që të trajtohet obeziteti botërisht në rritje, dhe i cili do të prekë 2 miliardë njerëz në krejt globin deri më 2030, ka vlerësuar Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Efektiviteti i tyre i vërtetuar në ndihmën e njerëzve që të humbin peshë do të thotë se ilaçet përfaqësojnë “një kapitull të ri” sesi shërbimet shëndetësore mund ta trajtojnë obezitetin dhe sëmundjet vdekjeprurëse që shkakton, ka bërë të ditur OBSH-ja.

OBSH-ja u ka bërë thirrje vendeve që të bëjnë çmos që të sigurohen që njerëzit që do të përfitonin nga terapitë me peptid-1 të ngjashëm me glukagonin (GLP-1), ozempik të mund të kenë qasje në to. Por, ndërsa të rriturit e kualifikuar përgjithësisht duhet t’i marrin ato, gratë shtatzëna nuk duhet t’i përdorin, deklaron OBSH-ja.

Paralajmërimi

OBSH-ja ka paralajmëruar gjithashtu se kompanitë farmaceutike duhet t’i ulin çmimet për ilaçet “Mounjaro”, “Ozempic” dhe të ngjashme, si dhe të zgjerojnë me të madhe prodhimin e tyre për shmangien e privimit të tyre për njerëzit në vendet më të varfra të botës.

“Ndërsa vetëm ilaçet nuk do ta zgjidhin këtë krizë globale shëndetësore, terapitë GLP-1 mund të ndihmojnë miliona njerëz ta tejkalojnë obezitetin dhe t’i ulin dëmet e shoqëruara me të”, ka thënë Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së.

OBSH-ja e ka paraqitur mendimin e saj mbi ilaçet për herë të parë në një “komunikim të veçantë” që cak ka profesionistët e shëndetit.

“Terapitë GLP-1 shënojnë më shumë sesa një përparim shkencor. Ato përfaqësojnë një kapitull të ri në ndryshimin gradual konceptual sesi shoqëria i qaset obezitetit – nga një ‘gjendje jetese’ në një sëmundje kronike komplekse, të parandalueshme dhe të trajtueshme”, thuhet në deklaratën e saj në “Journal of the American Medical Association”.

“Terapitë GLP-1 … janë shfaqur si risi e rëndësishme në adresimin e sfidës globale të obezitetit. Dalja e këtyre ilaçeve përfaqëson një pikë kthese në trajtimin e obezitetit, ndërlikimeve të tij dhe sëmundjeve të tjera përcjellëse”.

Megjithatë, kufizimet në kapacitetin global të prodhimit nënkuptojnë se tani vetëm maksimalisht rreth 100 milionë njerëz mund t’i marrin ilaçet – vetëm 10 % e 1 miliard njerëzve që mund të përfitojnë – shtohet në deklaratë. Numri i njerëzve që konsiderohen obezë – bazuar në një indeks të masës trupore – do të dyfishohet nga 1 miliard në 2 miliardë deri më 2030, dhe kostot në mbarë botën do të arrijnë 3 bilionë dollarë deri në të njëjtin vit, paralajmëron OBSH.

Firmat farmaceutike duhet të kenë parasysh “çmime të shkallëzuara” – duke i ngarkuar vendet më pak të varfra – në mënyrë që të arrijnë zgjerimin dramatik të qasjes që kërkon thellimi i krizës globale, bën thirrje OBSH.

A mjaftojnë vetëm ilaçet?

Deklarata e OBSH-së është shkruar nga tre mjekët kryesorë: Francesca Celletti, Luz De Regil dhe Jeremy Farrar, ndihmësdrejtori i OBSH-së për promovimin e shëndetit dhe parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve, i cili më parë ishte shkencëtari kryesor i saj dhe gjithashtu drejtor i institutit shkencor londinez, “Wellcome”.

Deklarata ka theksuar se ilaçet në vetvete nuk janë të mjaftueshme që të luftohet obeziteti dhe se njerëzit që i përdorin ato duhet gjithashtu të ushqehen më shëndetshëm, të ushtrojnë më shumë dhe të këshillohen lidhur me stilin e tyre të jetesës.

OBSH-ja i pranon provat në rritje se GLP-1 mund të ndihmojnë për uljen e rrezikut të një sërë zhvillimesh dhe gjendjesh serioze dhe potencialisht fatale, duke përfshirë sulmet në zemër dhe goditjet në tru, diabetin e tipit 2, presionin e lartë të gjakut, kolesterolin e keq, krizën e gjumit dhe sëmundjet e veshkave dhe arterieve.

Tri “pengesat kryesore”

Tri “pengesa kryesore” duhet të tejkalohen që të sigurohen botërisht që gjithsecili, shëndeti i të cilëve do të përfitonte nga GLP-1, të mund t’i marrin ilaçet: mungesa e kapacitetit të prodhimit, disponueshmëria dhe përballueshmëria; gatishmëria e sistemeve shëndetësore për t’i ofruar ato; dhe qasja universale në kujdesin shëndetësor.

“Ilaçet për humbje peshe luajnë rol të rëndësishëm, por nuk janë zgjidhje e shkëlqyer”, ka thënë Katherine Jenner, drejtoreshë ekzekutive e Aleancës së Shëndetit të Obezitetit, koalicion prej më shumë se 50 organizatash shëndetësore, mjekësore dhe për fëmijë në Mbretërinë e Bashkuar.

“Në Mbretërinë e Bashkuar tani, qasja është ende e kufizuar, furnizimi është i dobët dhe përdorimi i Shërbimit Kombëtar të Shëndetësisë (NHS) është i fokusuar ngushtësisht. Këto ilaçe të fuqishme mund të ndihmojnë individët me obezitet kronik, por nuk janë të përshtatshme për të gjithë dhe duhet të shoqërohen me mbështetje gjithëpërfshirëse për përdorim të sigurt dhe efektiv”, ka theksuar ajo.

“Provat tregojnë se shumica e njerëzve rifitojnë peshë pasi heqin dorë prej përdorimit të këtyre ilaçeve dhe ne nuk mund t’i mjekojmë dy të tretat e popullsisë për kohë të pacaktuar”, ka shtuar Jenner.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com