Ilustrim

Importi vajit të palmës, Dogana dhe AUV me shifra të ndryshme

6.6 milionë kilogram vaj të palmës në vlerë prej 4.7 milionë euro janë importuar në Kosovë vetëm gjatë më 2019 dhe 2020.

Vaji i palmës është relativisht i lartë me yndyra të ngopura ku gjen përdorim më së shumti në industrinë e qumështit gjithashtu edhe në çokolata, biskota, kremra, akullore.

Këtë vit deri më tani sipas Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) janë importuar 900 ton vaj palme, ndërsa sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës janë importuar rreth 1 milionë e 500 mijë kg vaj të palmës.

KAllxo.com ka kërkuar sqarime nga AUV dhe nga Dogana për shifrat e ndryshme të iportit të vajit të palmës, mirë nuk ka paranuar përgjigje.

Por, sipas kryetarit të Organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku këto shifra nuk mund dhe nuk guxojnë të jenë dy të vërteta.

“Diçka nuk është në rregull. Qeveria duhet të ndërhyjë dhe ta thotë të vërtetën. Me aq sa kam mundësi e kompetenca në mbledhjen e parë të Bordit të AUV-së do të kërkoj sqarime për një të vetmen të vërtetë”, tha Kaçaniku.

Sipas tij diferenca prej 600 ton ose 600,000 kg është diferencë tepër e lartë për një shtet të vogël siç është Kosova.

“Qytetari konsumator duhet ta dijë në çdo moment, se sa ka dhe sa konsumon vaj palme sepse vaji i palmës i cili konsumohet në sasi të kontrolluara nuk është i rrezikshëm dhe anasjelltas”, shtoi ai.

Sipas Kaçanikut Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Qeveria, detyrë kryesore e kanë kundërshtimin dhe sabotimin e qytetarit konsumator dhe të përfaqësuesve të tij.

“Qeverisë më shumë i dhimbset, aty-këtu, ndonjë biznes se sa qytetari konsumator taksapagues”, tha ndër të tjera.

Në anën tjetër, Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinës nuk ka  personel në laborator që janë të gatshëm për të konfirmuar sasinë e vajit në produkte, përkundër që ka metoda të aprovuara se si duhet bërë kjo.

Sipas AUV e gjithë kjo është si pasojë e gjendjes pandemike në Kosovë.

“AUV ka vazhduar tutje me furnizimin me pajisje të veçantë për t’i realizuar edhe analizat sasiore, por për arsye të pandemisë trajnimi i personelit të laboratorit nuk janë ende të gatshëm për t’i konfirmuar rezultatet”, thuhet në përgjigjet e AUV dhënë për KALLXO.com

Në përgjigjet e këtij institucioni thuhet se përdorimi i vajit të palmës është duke u rritur edhe në industrinë ushqimore në Kosovë.

“Po gjen përdorim në industri të pjekurinave (produktet e furrës), konditorive dhe ëmbëlsirave, pjekjes se patateve (patatina) por është duke u përdorur edhe në industrinë e qumështit, kryesisht në prodhimin e produkteve që bazë e kanë qumështin”, thuhet në përgjigjet e AUV-it.

Sipas AUV çdo produkt sipas rregullores së etiketimit të produkteve është obliguese që t’i shënohet përbërja.

Kallxo.com nuk ka marrë përgjigje se cilat kompani e importojnë vajin e palmës por vetëm se import kanë realizuar 15 kompani të ndryshme.

“Vendi nga i cili është importuar më së shumti është Indonezia, por kemi importe edhe nga vendet e BE-së”, thuhet në përgjigjet e AUV.

Ndikimi i përdorimit të vajit të palmës tek prodhuesit e qumështit 

Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit të Kosovës (SHPQK), Milazim Berisha tha për KALLXO.com se përdorimi i vajit të palmës ka ndikuar negativisht në zhvillimin normal të sektorit të blegtorisë.

“Për arsye të kostos së lirë dhe fitimit të madh është përdorur nga shumë përpunues të qumështit të cilët kanë shfrytëzuar vakumin institucional me ndërrimin e shpeshtë të qeverive dhe pa kurrfarë kritere e kanë përdorur në nënprodukte të qumështit, shpesh edhe pa e deklaruar fare % dhe përbërjen e vajit te pallmës në produkt”, tha Berisha.

Sipas tij, për këto arsye edhe janë mbajtur protestat, mirëpo nuk është ndërmarrë asgjë deri më tani.

“Kemi kërkuar se paku të kemi ndarje fizike të produkteve të qumështit në raftet e marketeve siç e kërkon ligji nga ato me vaj pallme dhe të ngjashme, por përveç premtimeve dhe disa ndarjeve formale që janë bërë, është krijuar edhe më shumë konfuzion tek blerësit”, shtoi ai.

“Ne kemi kërkuar në vazhdimësi një monitorim strikt dhe ndalesë të tërësishme në periudha të caktuara, sidomos në kohën kur kemi mjaftueshëm qumësht, në veçanti ndalesë të produkteve me përmbajtje të tilla nga importi”, tha ndër të tjera kryetari i SHPQK-së.

Ndërsa drejtori ekzekutiv i kësaj shoqate, Ardian Purrini për këtë ëështje tha se legjislacioni ekziston mirëpo zbatueshmëria jo.

“Tani jemi ka mundohemi me qeverinë e re, edhe pse kemi provuar edhe me qeveritë e kaluara, që njëherë m`u rregullu ky problem dhe m`u zbatu legjislacioni”, tha Purrini.

Në vitet 2019 dhe 2020 sipas të dhënave komerciale sipas kodit tarifor të Doganës së Kosovës, nga importi i 6.6 milionë kilogramëve vaj të palmës u morën rreth 300 mijë euro taksa dhe rreth 200 mijë euro nga TVSH-ja (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar).

Sipas Doganës në vitin 2020 Kosova importoi rreth 2 milionë kilogram nga Indonezia dhe Holanda, ndërsa në vitin 2019 partneri kryesor për import të vajit të palmës ka qenë Malajzia me 1.2 milion kilogram në vlerë prej 800 mijë euro.

Në shtator të vitit të kaluar qumështarët e Kosovës kanë mbajtur një protestë për largimin e produkteve me vaj të palmës, ku në shenjë pakënaqësie kanë derdhur produktet e tyre në rrugët e Prishtinës.

 

 

VIDEO – Protestojnë fermerët, derdhin qumështin në rrugë