Kjo është situata me furnizimet me oksigjen në Spitalet e Kosovës

Kosova është duke e luftuar pandeminë globale COVID-19 që nga muaji mars i këtij viti, Ministria e Shëndetësisë e udhëhequr nga Armend Zemaj, në muajin korrik ndau 835.026 litra oksigjen për trajtimin e pacientëve të infektuar me coronavirus, sipas kontratës, Qendra Klinike Universitare e Kosovës si dhe shtatë spitalet në vend do të furnizohen me oksigjen për 24 muaj.

Spitalet Rajonale në vend thonë se furnizimin me oksigjen e bëjnë sipas nevojave, duke përfshirë këtu numrin e pacietëve të cilët kanë nevojë për oksigjeno – terapi.

Hilmi Shala, drejtor i Spitalit Regjional i Gjakovës, kanë thënë për KALLXO.com se në rast se rritet numri i pacientëve të cilët janë nën asistimin me maskë CPAP duhet më shumë oksigjen dhe nevoja për oksigjen rritet.

“Furnizohemi çdo natë. Varësisht sa pacientë janë në CPAP – maskë, se harxhon oksigjen më shumë, kur kemi pacientë me oksigjeno – terapi harxhojmë më pak”, tha Shala.

Shala tha se 59 pacientë janë të shtrirë në spital, 36 prej tyre janë pozitiv me COVID-19, 30 prej tyre janë me oksigjeno – terapi, gjashtë me maskë CPAP ndërsa dy të tjerë janë në intubim pasi që gjendja e tyre është e rëndë.

Aktualisht në këtë spital janë gjashtë respiratorë dhe 85 shtretër për pacientë me coronavirus.

“Spitali ka 508 shtretër, 85 shtretër për pacientët me COVID-19”, tregoi drejtori.

Në anën tjetër, Spitali i qytetit jugor, Prizrent, ka rezervarë 10 tonësh me oksigjen të lëngshëm, sipas drejtorit të Spitalit, Afrim Avdaj, oksigjeni i lëngshëm është më i lirë se ai i gazuar.

“Ne kemi rezervarin prej 10 tonësh që është oksigjen i lëngshmë që është gjashtë herë më i lirë se oksigjeni gazë. Jemi të varur nga furnizimi që vije prej Maqedonisë i kontraktuar në ShSKUK”, tregoi Avdaj.

Tutje, ai tha se 10 ton oksigjen harxhohen për pesë deri në shtatë ditë, por gjithsesi varet nga numri i pacientëve të cilët kanë nevojë për oksigjeno –terapi.

“10  ton (oksigjen) janë për 5 deri në 7 ditë. Varet edhe nga pacientët të cilët janë në intubim dhe në maskën CPAP” , tregoi ai.

Aktualisht, të hospitalizuar janë 113 pacientë, me oksigjeno terapi janë 81 pacientë, ndërsa 10 pacientë të tjerë janë në kujdes intensiv.

Të njëjtin furnizim me oksigjen e bën edhe Spitali Rajonal i Ferizaj i udhëhequr nga Jeton Zeqiri.

Zeqiri për KALLXO.com tha se i gjithë furnizimi është i mbështetur në numrin e pacientëve sa janë të shtrirë në spital.

“Kërkesa (për oksigjen) bëhet në bazë të nevojave, nëse i kemi 30 pacientë i kërkojmë 30 boca do të thotë kërkesa bëhet varësisht nga pacientët, një bocë për person”, tha ai

Drejtori tutje tregoi se furnizimi bëhet çdo ditë ndonjëherë erdhe dy herë në ditë.

Edhe Spitali Rajonal i Gjilanit është në pritje për furnizim me oksigjen, për trajtimin e pacientëve me coronavirus.

Numri i rasteve me COVID-19 ka tejkaluar shifrën 20 mijë, 24,792 qytetarë janë infektuar nga COVID-19, 16,226 prej tyre janë shëruar ndërsa 768 kanë vdekur.