Spitali Regjional i Gjilanit Foto: KALLXO.com

COVID-19, Spitali Rajonal i Gjilanit pritet të furnizohet me rreth 10 mijë litra oksigjen

Spitali Rajonal i Gjilanit, më saktësisht Klinika Infektive dhe ajo e Pulmologjisë është duke trajtuar 45 pacientë me COVID-19, prej tyre 29 janë me oksigjeno-terapi ndërsa katër pacientë të tjerë janë me maskën CPAP, maskë e cila ndihmon pacientët të cilët kanë probleme me frymëmarrje.

Për trajtimin e pacientëve me COVID-19 është i nevojshëm oksigjeni, për shkak të problemve me frymëmarrje të cilët paraqiten tek pacietët e infektuar.

Nisret Hajrullahu, drejtor i Spitalit Rajonal të Gjilanit tha për KALLXO.com se pritet që të furnizohen me rreth 10 mijë litra oksigjen, përderisa theksoi se nuk dihet sakt se kur do të funizohen pasi që nuk dihet se si do të shkojnë procedurat e tenderimit.

“Na është thënë në mbledhjen e drejtorave kur kemi qenë se deri ka fundi i vitit të instalohet gjegjësisht tankë apo cistern me oksigjen të lëngshëm, kapaciteti do të jetë rreth 10 mijë litra nuk dihet kur do të ndodhë kjo, është procedurë tenderimi”, tregoi Hajrullahu.

Sipas drejtorit 30 deri 40 bombola me oksigjen sigurohen brenda ditës, varësisht nga shpenzimet.

Trajtimi i pacientëve me COVID-19 në reparti i Klinikës Infektive dhe Pulmologjisë

Me rritjen e rasteve të infektimit me coronavirus nevoja për zgjerimin e kapaciteteve në Spitalin e Gjilanit është i pashmangshëm.

Drejtori Hajrullahu, tha se javën e fundit është rritur numri i pacientëve të cilët kërkojnë ndihmë mjekësore, sipas tij brenda ditës 70 deri 90 pacientë kërkojnë tretman mjekësore.

Përveç Klinikës Infektive apo klinikës për sëmundje ngjitëse pacientë me COVID-19 është duke trajtuar edhe Klinika e Pulmologjisë në Gjilan.

Drejtori, tha se stafi shëndetësorë janë mjaftueshëm të furnizuar me pajisje mbrojtëse për COVID-19.

“Është zgjeruar reparti i sëmundjeve Infektive është zgjeruar kapaciteti edhe në repartin e Pulomogjisë. Klinika e Pulmologjisë është duke trajtuar pacientët me COVID, ky repart i plotëson nevojat aktuale për COVID”, konfirmoi Hajrullahu.

Klinika e Pulmologjisë aktualisht ka 32 shtretër, përderisa Klinika për sëmundje ngjitëse posedon 24 shtretër.

Për trajtimin e pacientëve të infektuar me SARS – CoV-2 Spitaleve u duhen mjekë Infektologë, Spitali Rajonal i Gjilanit ka gjashtë mjekë Infektologë dhe gjashtë anesteziolog.

Deri më tani në nivel vendi janë të regjistruar 21,545 raste me SARS – CoV-2, 15,829 janë shëruar dhe 714 kanë vdekur.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.