Kosova i shpenzon 1.2 milion euro për të blerë oksigjen

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka blerë 835,026 litra oksigjen me origjinë nga Italia dhe Maqedonia.

Kontrata me kompaninë “Medical Group” Sh.P.K në vlerë prej 1 milion e 277 mijë e 743 euro është nënshkruar më 6 maj të këtij viti pas një procedurë të hapur të prokurimit.

Në kontratë, thuhet që ShSKUK do të furnizohet me 835,020 litra Oksigjen (Inhalim) dhe me 485,376 kg Oksigjen (Inhalim për përdorim të menaxhimin e hipoksisë).

Gjithashtu me këtë shumë janë blerë edhe 19,920 kg Inhalim nitrus oxide.

Sipas kontratës, ky furnizim do të jetë për nevoja të shërbimit spitalor dhe për spitalet regjionale për një periudhë prej 24 muaj.

Ky tender ka pasur dy lote, loti 1 i është dhënë kompanisë “Medical Group” Sh.P.K. ndërsa për lotin 2, në të cilin ShSKUK kishte planifikuat të blinte 2,100 kg CO2 nuk ka pranuar asnjë ofertë, andaj dhe e ka anuluar këtë lot. Shuma e planifikuar për lotin 2 ka qenë 3,150.00 euro.

Hera e kaluar kur Shërbimi Spitalor kishte blerë oksigjen kishte lidhur kontratë me kompaninë “Medica” Sh.P.K. në vlerë prej 320,957.68 euro apo 136,700 euro më shumë se vlera e parashikuar. Ndërsa origjina e oksigjenit ishte nga Serbia.

Rreth çmimit të lartë, ShSKUK ishte arsyetuar se ky çmim ka qenë për shkak të tarifës që shteti i Kosovës kishte me atë të Serbisë.

“ShSKUK, ka lidhur kontratë kornizë 3-mujore me kompaninë “Medica”, kontrata ka vlerën 320,957.40 euro. Çmimi nga kontrata paraprake ka dallim për shkak të taksës prej 100%”, thuhej në përgjigjen e tyre të dhënë për KALLXO.com.

Edhe këtë herë kompania “Medica” kishte ofertuar me 1,464,434,82, por ishte shpallur e papërgjegjshme për shkak të çmimit të lartë.

Oksigjeni është bërë mjaft i kërkuara për trajtimin e pacienteve të infektuar me COVID-19. Vetëm gjatë ditës së sotme, në nivel të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), kanë qenë duke u trajtuar 268 pacientë me Covid-19 pozitiv. Vetëm në QKUK janë 100 pacientë në oksigjeniterapi.

ShSKUK blen oksigjen nga Serbia me çmim dyfish më shumë se sa planifikoi

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.