A janë të sakta testet e intolerancës ushqimore?
Ju mund të keni parë në televizor, duke u reklamuar nga ndonjë klinikë fantastike, me rezultate ‘premtuese’ për “zgjidhjen e problemeve ushqimore me këtë test”, ose “me testin tuaj të ADN-së mund të gjejmë çdo gjë në lidhje me intolerancën tuaj ushqimore”.
Në vendet si Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, dhe duke e bërë rrugën që të kalojë nëpër të gjithë botën, kompanitë, laboratorët, klinikat që ofrojnë këtë test janë në rritje. Duke premtuar dhe duke pretenduar se testi është pjesa që mungon në enigmën tonë si një ‘çelës’.
Kjo është bërë në një klinikë, prandaj nuk duhet të kem ndonjë arsye të besoj se kjo është një gënjeshtër apo mashtrim?
Njerëzit paguajnë shumë para për të bërë këtë test, prandaj duhet të jetë i vlefshëm?
Zotëria në TV duke folur për këtë tha se ishte mjek, kështu që mendoj se duhet ta besoj?
Fjalë rrëqethëse, apo jo?
Jo aq shpejt.
Koncepti i ‘intolerancës ushqimore’ ose ‘ndjeshmërisë ndaj ushqimit’ ofrohet shpesh si një bazë (e prezantuar si ‘shkencore’) për dikë që të bëjë një test, që nxjerr në pah reagimet e tij/saj ndaj ushqimit dhe më pas të modifikojë dietën në përputhje me rrethanat.
Është interesante se pavarësisht se normat aktuale të incidencës së alergjive ushqimore të diagnostikuara mjekësisht mbeten të qëndrueshme në rreth 2-3% të popullsisë, prevalenca e të rriturve që besojnë se kanë një alergji ushqimore është deri në 25%.
Me një rritje që rezulton në numrin e të rriturve që vetëdiagnostikohen me një alergji ushqimore, pa marrë një diagnozë mjekësore.
Hipersensitiviteti ndaj ushqimit (d.m.th. reaksionet negative ndaj ushqimit) mund të klasifikohet si ‘alergji ushqimore’ ose ‘intolerancë ushqimore’, në varësi të mekanizmave fiziologjikë të përfshirë në reaksione.
Në biseda joformale, nuk është e pazakontë të shohësh që ‘intoleranca ushqimore’ dhe ‘alergjia ushqimore’ të përdoren në mënyrë të ndërsjellë, megjithatë, ato janë thelbësisht të ndryshme.
Alergjia ushqimore ka të bëjë me reaksione të ndërmjetësuara nga sistemi imunitar. Ndërkaq intoleranca ushqimore me reaksione që nuk ndërmjetësohen nga sistemi imunitar.
Në anën tjetër, alergjitë ushqimore nuk varen nga doza dhe mund të shkaktohen me ekspozim qoftë edhe në gjurmë ndaj një alergjeni (p.sh., reagimi anafilaktik ndaj arrave), intoleranca ushqimore shpesh varet nga doza (p.sh., lëvizshmëria gastrointestinale nga kafeina).
Çfarë është një “Test i Intolerancës Ushqimore”?
Është e rëndësishme të merret parasysh se rritja e vetë-diagnostikimit ka ndodhur në kontekstin e një rritje të popullaritetit të fundit të testeve të shtrenjta të “intolerancës ushqimore”, të cilat synojnë të shqyrtojnë tolerancën ndaj qindra ushqimeve.
Ata pretendojnë se identifikojnë intolerancat ushqimore që shkaktojnë ose kontribuojnë në çdo grup kushtesh: Sindroma e Lodhjes Kronike, Sindroma e Zorrës së Irrituar (IBS), dhimbje koke, hiperaktivitet, kongjestion dhe probleme me sinuset, artriti dhe pothuajse çdo simptomë mendore.
Këto teste tregtohen posaçërisht si teste të intolerancës ushqimore, jo teste alergjie.
Në këtë drejtim, “testi i intolerancës ushqimore” i referohet analizave të gjakut për një antitrup tjetër, imunoglobulinën-G (IgG).
Antitrupi IgG është antitrupi më i bollshëm në trup, që përbën deri në 75% të totalit të antitrupave qarkullues dhe ka një qarkullim të lartë në gjak.
IgG i ngritur pasqyron ekspozimin ndaj një komponimi (d.m.th. “maturimi” i përgjigjes së antitrupave).
Antitrupat IgG shfaqin gjithashtu një gjysmë jetë jashtëzakonisht të gjatë deri në 22 deri në 96 ditë, gjë që është gjithashtu e rëndësishme kur merret parasysh vlefshmëria klinike dhe dobia e testeve të ‘intolerancës ushqimore’ të IgG.
Atëherë, a janë të sakta testet e intolerancës ushqimore?
Në shqyrtimin e dobisë së çdo instrumenti matës, në këtë rast një testi diagnostik, një koncept i rëndësishëm është vërtetimi. Më fjalë të tjera, duhet vërtetuar nëse testi e matë në mënyrë të besueshme shënuesin e veçantë që synon; nëse e parashikon me saktësi shënuesi gjendjen shëndetësore të subjektit; nëse testi është specifik dhe i saktë; apo nëse rezultatet janë të riprodhueshme në mjedise të ndryshme laboratorike.
Pas ekzaminimit të provave shkencore për testimin e antitrupave IgG për intolerancën ushqimore, duket se asnjë nga kriteret për vlefshmërinë e kësaj analize nuk është i pranishëm.
Duke qenë se nuk ka një metodologji të standardizuar për testimin e IgG, metodat e ndryshme laboratorike mund të mos japin rezultate të krahasueshme, edhe nëse ato raportohen në të njëjtat njësi ose klasa, dhe duket se ka kontrolle të ndryshueshme të cilësisë (metoda për të siguruar që analizat laboratorike të kthejnë rezultatet brenda kufijve të specifikuar të saktësisë dhe janë të qëndrueshme).
Testet e IgG gjithashtu nuk kanë specifikë dhe nuk janë në gjendje të identifikojnë nënklasat e IgG të cilat mund të drejtohen kundër ushqimeve.
Një fakt shqetësues nga këndvështrimi i vlefshmërisë është se asnjë studim i publikuar mbi dobinë e supozuar të testimit të antitrupave IgG nuk ka publikuar ndonjë detaj në lidhje me vërtetimin e analizës.
Ata mund të deklarojnë se çfarë klasifikimesh janë përdorur për nivelet e IgG dhe cili laborator ka ofruar testin, dhe të përshkruajnë se si është kryer analiza, por shpesh kjo është shtrirja e detajeve në seksionin e metodave.
Një studim i cili citoi prova për detajet e testit IgG, në fakt citoi një studim të kryer te qentë.
Një pikë tjetër, e cila siguron vulosjen përfundimtare për çdo vlefshmëri të supozuar të testimit të IgG për intolerancën ushqimore, lidhet me faktin që IgG i ngritur pasqyron ekspozimin ndaj një përbërjeje.
Toleranca ndaj ushqimit fitohet nëpërmjet qelizave imune, të njohura si qelizat iTreg. Këto qeliza migrojnë në rreshtimin e zorrëve, ku përfshihen në shtypjen e përgjigjeve alergjike ndaj alergjeneve ushqimore, shtypja e IgE dhe nxitja e prodhimit të IgG.
Pra, interpretuar siç duhet, IgG e ngritur nuk reflekton as intolerancë ndaj ushqimit, por krejt e kundërta. Ajo lidhet me tolerancën imune ndaj alergeneve ushqimore.
Kështu, testimit IgG i mungon ndonjë specifikë për intolerancën ushqimore dhe nuk matë asnjë shënues klinikisht të vlefshëm.
Si përfundim, nuk ka asnjë provë që mbështet përdorimin e IgG si një masë e vlefshme e intolerancës ushqimore.
Numri i intolerancës ushqimore të vetë-diagnostikuar është rritur vitet e fundit, në numra të konsiderueshëm, gjë që është mjaft shqetësuese.
Hipersensitiviteti ndaj ushqimit mund të nën-klasifikohet si alergji ushqimore ose intolerancë ushqimore.
Intoleranca ushqimore është e pavarur nga sistemi imunitar dhe mund të ndahet midis reaksioneve enzimatike dhe reaksioneve farmakologjike.
Të ashtuquajturat ‘teste të intolerancës ushqimore’ janë bërë të njohura për shkak të komercialitetit, dhe paraqesin një rrezik të legjitimitetit shkencor.
Megjithatë, nuk ka asnjë provë që testimi për antitrupat IgG pasqyron një intolerancë ushqimore.
Asnjë studim nuk ka publikuar asnjë detaj në lidhje me vërtetimin e testit IgG për identifikimin e intolerancës ndaj ushqimeve..
Këto studime nuk duhet të merren si vërtetim retrospektiv i testit IgG, në rrethana kur vetë testi nuk plotëson kriteret për dobinë dhe vlefshmërinë laboratorike ose klinike.
Vlen të përmendet se i vetmi test i disponueshëm për një “intolerancë ushqimore” është për tolerancën ndaj laktozës.
Fatkeqësisht, testet e intolerancës ushqimore janë më të prirura për t’u ‘reklamuar’ në vendet jo të zhvilluara, për shkak se popullsia është më e gatshme ndaj manipulimeve dhe mashtrimeve.
Ne si shoqëri, priremi t’i bazojmë argumentet tona më së shumti në atë që, nëse shumica e njerëzve po bëjnë diçka, ajo duhet të jetë e drejtë ose ideale. Njerëzit zakonisht mund të jenë pa ndonjë formë të skepticizmit shkencor, gjë që potencialisht i çon në gënjeshtra.