Kate Middleton - Foto: screenshot

Princesha e Uellsit, Kate thotë se ka kancer

Princesha e Uellsit, Kate Middleton, njoftoi të premten se është diagnostikua me kancer dhe se tani është duke u mjekuar me kimioterapi.

Njoftimi i saj tronditës vjen pas disa javësh thashetheme për shëndetin dhe vendndodhjen e saj.

Ajo foli për gjendjen e vet shëndetësore në një video-mesazh të xhiruar të mërkurën dhe të transmetuar të premten, i cili vjen pas thashethemeve të pareshtura në rrjetet sociale, prej se ajo u shtri në spital në janar për një operacion në stomak.

Kate kërkoi “kohë, hapësirë dhe privatësi” gjatë mjekimit të sëmundjes së kancerit, duke mos treguar se për çfarë lloji bëhet fjalë.

Ajo tha se e zbuloi se ka kancer pas operacionit.

“Unë jam mirë”, tha ajo, duk shtuar “po forcohem çdo ditë duke u përqendruar në gjërat që do të më ndihmojnë të shërohem”.

Kate, 42 vjeçe, nuk ishte parë në publik prej Krishtlindjes derisa doli një video këtë javë, ku ajo shihej me bashkëshortin e vet, Princin William, trashëgimtarin e fronit, duke ecur pranë një dyqani afër shtëpisë së tyre në Windsor.

Pallati Kensington kishte dhënë pak hollësi për gjendjen e Kate, përveç se kishte thënë se nuk kishte të bënte me kancer dhe se operacioni ishte i suksesshëm, dhe se riaftësimi do ta mbante princeshën larg detyrave publike deri në prill.

Kate tha se mendohej se nuk kishte kancer derisa testet e zbuluan.

“Natyrisht kjo më tronditi shumë, dhe unë dhe William jemi duke bërë gjithçka që mundemi për ta menaxhuar këtë privatisht për hir të familjes sonë të re”, tha ajo.

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak, tha se Kate “ka treguar guxim shumë të madh”.

“Në javët e fundit, ajo ka qenë nën vëzhgim të madh dhe është trajtuar padrejtësisht nga një pjesë e mediave në gjithë botën dhe në rrjetet sociale”, tha ai./REL