Selmanaj propozon rezolutë në debatin për parlamentar për shpenzimet e paparashikuara

Driton Selmanaj deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka filluar debatin parlamentar lidhur me vendimet e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare nga shpenzimet e paparashikuara.

Selmanaj tha se partitë politike në pushtet nuk janë në seancë dhe sipas tij kur flitet për abuzimin e parasë publike pushteti nuk do as të dëgjoj.

Selamanj tha se vetëm në pjesën e fundvitit 2017 dhe 2018 qeveria e Kosovës ka nxjerr mbi 60 vendime të veçanta që kapin shumën prej 8 milionë e 387 mijë e 282 euro nga linja buxhetore shpenzime të paparashikuara.

E njëjta praktikë sipas tij po ndodh edhe gjatë këtij viti ku vetëm për periudhën janar – shkurt 2019 me vendime të qeverisë janë ndarë mbi 1 milion e 700 mijë euro, përfshirë këtu dhe vendimin për ndarjen e mjeteve financiare në shumën prej 500 mijë euro për realizimin e shënimit të aktiviteteve për 11 vjetorin e pavarësisë.

“Vetëm për dy muaj 50 për qind e fondeve që kanë qenë të alokuara për rezerva shtetërore kjo qeveri i ka shpenzuar. E pakuptimtë mbetet shuma e madhe për këtë ngjarje “, tha ai duke shtuar se për aktivitetin e njëjtë në vitet 2016 e 2017 janë ndarë rreth 70 mijë euro edhe pse aktivitetet ishin të ngjashme.

Selmanaj tha se ndarja e kaq shumë fondeve për kaq shumë kategori nga rezervat shtetërore pa asnjë planifikim paraprak nxjerr dy përfundime.

E para sipas tij është që qeveria aktuale ka logjikën dhe kulturën zhvatëse dhe abuzuese të parasë publike dhe e dyta që qeveria nuk ka kapacitete as për planifikim as për zbatim të politikave qeveritare.

“Pas debatit Kuvendit të Kosovës i propozohet miratimi i një rezolute me dy pika: E para qeveria e Republikës së Kosovsës duhet të ndal menjëherë praktikën e ndarjes së mjeteve financiare pa kritere dhe pa respektuar dispozitat e ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë. Dhe në afat prej 1 jave zyra e kryeministrit të sjell në Kuvend një raport të detajishëm lidhur me procedurat e zhvilluara për përzgjedhjen e kompanive të cilat kanë realizu aktivitete si dhe një raport me të dhëna specifike për realizimin e këtyre mjeteve. Raporti të fokusohet në tri ngjarjet kryesore shënimi i përvjetorëve të pavarësisë për 2018 dhe 2019 si dhe shënimi i 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut”, tha Selmanaj.

Selmanaj tha se janë të hapur për plotësimin e rezolutës.