Rekomandimet e BIRN-it Përfshihen në Projektligjet për Drejtësinë

Komisioni për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete diskutoi disa nga rekomandimet e BIRN-it në mbledhjen e javës së kaluar dhe aprovoi disa prej tyre duke i përfshirë në projektligjet për sistemin e drejtësisë.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) iu drejtua Komisionit për Legjislacion me disa amendamente lidhur me projektligjet për Këshillin Prokurorial dhe Gjyqësor të Kosovës, Projektligjin për Gjykatat dhe Prokurorin e Shtetit.

Disa prej propozimeve të BIRN-it u pritën mirë nga komisioni. Lidhur me propozime specifike, kryetarja e këtij komisioni, Albulena Haxhiu, u shpreh se në mbështeste propozimin e BIRN-it, duke e cilësuar si propozim interesant.

“BIRN-i thotë që neni 2 i draftligjit është në shpërpushje me kushtetutën e Republikës së Kosovës, thotë që sipas ligjit aktgjykimet marrin formën e plotfuqishmërisë vetëm në rast se për këto ka vendosur shkalla e fundit e gjykatës apo në rast se pala paditëse, i dëmtuari apo i padituri nuk ankohen ndaj aktgjykimit të gjykatës”, shtoi Haxhiu.

Propozimet e përfshira në ligje

Nga një sërë rekomandimesh të cilat ne si BIRN ja kemi adresuar Komisionit për Legjislacion lidhur me 4 Projektligjet atë për Këshillin Gjyqësor, Këshillin Prokurorja, Projektligjin për Prokurorin e Shtetit dhe atë për Gjykatat ky komision ka aprovuar disa rekomandime.

Në Ligjin për Gjykatat dhe Prokurorin e Shtetit është përfshirë rekomandimi për kufizime mbi kompensimin e pagës që gjykatësit dhe prokurorët marrin.

Duke pasur parasysh nevojën që gjykatësit dhe prokurorët të angazhohen në ligjërime dhe aktivitete shkencore, monitoruesit e BIRN rekomandojnë që për punët jashtë orarit gjykatësit e prokurorët të mos marrin kompensim më të lartë se 25% e pagës. Që për punën jashtë orarit gjykatësit të marrin leje nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës pas një rekomandimi të marrë nga kryetari i gjykatës

Një nen shtesë që është vlerësuar nga BIRN se do kishte impakt pozitiv është përfshirë në projektligjin për Këshillin Gjyqësor dhe atë Prokurorial te Kosovës.

“Me qëllim që puna në KPK të mos ketë ngecje, KPK sigurohet që të jetë në përbërje të plotë. Gjashtë muaj para skadimit të anëtarit të KPK-se, këshilli nis procesin e përzgjedhjes së anëtarit zëvendësues të anëtarit që i kalon mandati. Procesi i përzgjedhjes së anëtarit të ri duhet të përfundojë një muaj para skadimit të mandatit të anëtarit të vjetër.

Pro dhe kundër

Ndërkaq, anëtari i këtij komisioni, Armend Zemaj tha se nuk mund të publikohen rastet meqë janë në kundërshtim me kushtetutën e Kosovës. “Ne nuk mundemi me paragjyku tash me publiku raste, domethënë kjo nuk është në përputhje edhe me kushtetutën dhe me norma të tjera”, tha Zemaj.

Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike nuk e përkrahu propozimin nga ana e BIRN-it. “Publikimi i një aktgjykimi që nuk është i plotfuqishëm do ta paragjykonte fajësinë e dikujt publikisht. Andaj mendoj që propozimi aktual është në linjë me nenin 6”, u shpreh Korenica.

Ndërkaq, sa i përket kërkesës së BIRN-it për përgjegjësi penale nga anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, anëtare e këtij komisioni nuk pajtohet me një gjë të tillë. “Edhe unë nuk pajtohem, edhe vota ime do të jetë kundër, sidoqoftë ju me shumicë e kemi mbivotu kështu që shkojmë tutje”, deklaroi Kadaj-Bujupi.

Komisioni për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, në mbledhjen e mbajtur miratoi ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Gjykatat, Këshillin Gjyqësor, si dhe për Prokurorin e Shtetit.

Ky komisioni gjithashtu miratoi me 5 vota për, dy kundër dhe një abstenim Projektligjin për Avokatin e Popullit, si dhe me pesë vota për dhe tri abstenime miratuan Projektligjin kundër Diskriminimit dhe Projektligjin për Përgjimin e Telekomunikimeve.