Reagon MPJ-ja ndaj sulmit të udhëtarëve nga Kosova në shtetin serb

Nëpërmjet një komunikate për media, ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme, ndaj sulmit që iu bë autobusit me udhëtarë nga Kosova në shtetin serb.

Në reagim thuhet se Ministria e shpreh shqetësimin për përsëritjen  e  rasteve të kthyera tashmë në dukuri të sulmeve të vrazhda fizike ndaj mjeteve transportuese dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët po e shfrytëzojnë territorin e Serbisë si transit për në shtetet e tjera të Evropës.

Ministria thotë se lëvizja e lirë e qytetarëve është parimi themelor  mbi të cilin është themeluar Bashkimi Evropian dhe është përkushtim i deklaruar institucional i shtetit fqinj për normalizimin e plotë të marrëdhënieve të dy shteteve të pavarura dhe sovrane.

‘’Ministria e Punëve të Jashtme thërret autoritetet e shtetit fqinj që të zbardhin sa më shpejt rrethanat dhe motivet e sulmeve të vazhdueshme dhe të sjellë para drejtësisë kryerësit e këtyre veprave.

Ministria e Punëve të Jashtme i bën thirrje edhe përfaqësuesve të BE-së, si ndërmjetëse në dialogun në mes dy shteteve që t’i kërkojë shtetit fqinj respektimin e parimit themelor mbi të cilin është themeluar edhe vet BE-ja, atë të Lirisë së Lëvizjes’’, thuhet më tutje në reagimin e Ministrisë së Jashtme.

 

https://kallxo.com/autobusi-me-pasagjere-nga-kosova-sulmohet-ne-serbi/

 

.