FOTO: APA/FRANZ NEUMAYR

MPJD: Vetëm një person po trajtohet nga aksidenti, të tjerët janë liruar nga spitali

Sot, në orët e para të mëngjesit, një autobus i cili ishte nis nga Kosova drejt Gjermanisë u aksidentua në Austri, por që sipas të dhënave deri më tani, të gjithë janë jashtë rrezikut për jetë.

Në një deklarim për KALLXO.com, Sharr Jakupi, shefi i kabinetit të ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, tha se përveç një pasagjeri, të gjithë tjerët janë liruar për të udhëtuar në destinacionin e paraparë.

Sipas tij, edhe ambasadori i Kosovës në Vjenë, Lulzim Pllana është nisur drejt vendit të ngjarjes.

“Në aksident ka pasur disa të lënduar, asnjë të vdekur. Sipas spitalit të Salzburgut, 8 kanë kërkuar ndihmë, dhe aktualisht vetëm një ka mbetur ende, të tjerët kanë udhëtuar tutje”, tha ai.

“Ambasadori i Republikës së Kosovës në Austri, z.Lulzim Pllana, ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes ku edhe është aksidentuar autobusi dhe është duke ofruar mbështetjen e ambasadës tonë në Austri për të gjithë të lënduarit dhe familjet e tyre”, ka deklaruar për KALLXO.com, Sharr Jakupi nga MPJD.

Siç raportuan mediat vendase, në autobus gjendeshin rreth 25 persona ndërsa 19 nga ta janë lënduar.

Në një prononcim të shkurtër për KALLXO.com, kompania “Armend Tours” kanë konfirmuar aksidentin ndërsa thanë se të gjithë personat që ishin në autobus janë mirë me shëndet.

“Shoferët janë mirë, pasagjerët janë mirë, dy prej tyre kanë qenë me lënde pak më shumë, e ka zënë këmbën keq por të gjithë janë mirë. Përfaqësues të kompanisë janë nis drejtë Austrisë në momentin që kanë dëgjuar për aksident, për të qenë afër, më shumë nuk dimë njëherë detaje”, thanë nga kompania “Armend Tours”.

Për aksidentin janë deklaruar edhe autoritet në Austri.

Shkaqet e aksidentit ende janë të paqarta, tha zëdhënësi i policisë, Hans Wolfgruber.

“Në autobus gjendeshin rreth 25 persona”, tha komandanti i policisë rajonale, Herman Gerstgraser. Sipas tij, tre persona janë plagosur më rëndë dhe 16 të tjerë më lehtë. Të gjithë të lënduarit janë dërguar në spitalin shtetëror në Salzburg.

Ëolfgruber tha se autobusi po udhëtonte nga Kosova për në Habnover.

“Këta janë turistë që padyshim vijnë nga Kosova”, tha ai.

Pas aksidentit, autoritetet thanë se në vendin e ngjarjes kanë arritur vullnetarë, pjesëtarë të Kryqit të Kuq dhe të ndihmës së parë.

Kompania e autobusit të aksidentuar: Pasagjerët dhe shoferët janë mirë