Rama merr nga Meta ministrinë e jashtme, ia dorëzon Gent Cakajt

Kryeministri Edi Rama, gjatë ceremonisë së marrjes së detyrës si ministër i Jashtëm, ka treguar se nuk do të jetë ai që do ta drejtojë këtë institucion, por Gent Cakaj, raporton Top Channel.

“Është fjala më e shkurtër në jetën time. Unë në funksionin tim si ministër i Jashtëm i delegoj zotit Gent Cakaj drejtimin e kësaj ministrie dhe përfaqësimin në institucionet ndërkombëtare”, u shpreh Rama.

Kandidatura e Cakajt në postin e ministrit të Jashtëm shkaktoi përplasje në distancë dhe prodhoi deklarata mes Ramës dhe Metës, pasi nga Presidenti refuzoi që ta dekretonte.

Në reagimin e tij të parë, pas veprimit të Ramës, Presidenti shqiptar Ilir Meta tha se nuk e komenton organizimin e brendshëm të ministrive.

“Presidenti nuk komenton aktet e organizimit të brendshëm të ekzekutivit apo ministrive”, tha Meta.

“Unë si President i Republikës respektoj Kushtetutën dhe i kam shumë të qarta kompetencat e mia se cilit institucion mund t’i delegoj autoritetin kushtetues për të lidhur marrëveshjet ndërkombëtare në emër të Republikës së Shqipërisë”, shtoi Meta, raporton Top Channel.