QKUK: Shtohet numri i shërbimeve në radioterapi

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), ka thënë se instituti i Onkologjisë ka shënuar rritje në ofrimin e shërbimeve të radioterapisë për pacientët, të cilët janë të diagnostikuar me sëmundjen e kancerit.

Sipas një njoftimi në ‘Facebook’, QKUK bënë të ditur së gjatë periudhës janar-prill 2019 janë kryer 7730 seanca të rrezatimit për pacientë.

“Radioterapia është një nga trajtimet onkologjike që përdor rrezatimin jonizues për eliminimin e qelizave tumorale dhe pengon riprodhimin e tyre. Në saje të raportit të punës, për tretman axhuvant (trajtim për mjekim definitiv) qenë paraqitur 170 raste të reja”, thuhet në komunikatë.

“Brenda katër muajve të parë të këtij viti kishte edhe 170 raste të reja, që kanë kërkuar mjekim paliativ (trajtim për ndaljen e dhimbjes, gjakderdhjes ose zvogëlimit të simptomave)”, thuhet më tej në njoftimin e QKUK-së.

Tutje, bëhet e ditur së në Institutin e Onkologjisë, vitin e kaluar mjekët kanë ofruar 6670 shërbime në radioterapi.