Qeveria kërkon të hiqet nga diskutimi në Kuvend platforma për dialogun me Serbinë

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, në emër të kryeministri Ramush Haradinaj ka kërkuar të tërhiqet nga rendi i ditës, diskutimi për projekt platformën për finalizimin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

“Të nderuar deputetë, më lejoni që në emër të qeverisë, kryeministrit Ramush Haradinaj, me mirëkuptim kërkojë që të tërhiqet lënda, projekt platforma për finalizimin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve”, tha Reçica.

Ai tha se kjo projekt platformë që është proceduar më 23 prill 2018 po kërkohet të hiqet për shkak të kohës dhe hapësirës për konsensus.

“Kjo është proceduar në Kuvend më 23 prill 2018. Krejt kjo bëhet në mënyrë që t’i japim kohë dhe hapësirë ndërtimit të një konsensusi sa më të gjerë nacional dhe vazhdimit të konsultimeve të mëtejshme”, deklaroi Reçica.

Gjatë të hënës, LDK e ka kundërshtuar këtë platformë quke paralajmëruar se nuk do ta votojë atë në Kuvend.