Foto-ilustrim

Përfundojnë seancat dëgjimore ndaj 3 të dyshuarve për terrorizëm

Kanë përfunduar seancat dëgjimore ndaj tre të dyshuarve për pjesëmarrje në grupe terroriste të Sirisë.

Gjykata seancat dëgjimore i caktoi për secilin veç e veç.

Arijan Kryeziu, Visar Qukovci dhe Agon Misini u sollën mëngjesin e sotëm në Gjykatën e Prishtinës nën masa të rrepta të sigurisë.

Ata po dyshohen se u janë bashkuar organizatave terroriste në Siri.

Njëri nga të dyshuarit, Arijan Kryeziu vendosi që të mbrohej në heshtje.

Bashkë me ta dyshohet se ishte edhe i mituri R.T., i cili dje me vendim të Gjykatës u dërgua në paraburgim.

Të katërt ishin arrestuar menjëherë pas kthimit nga Siria nën dyshimet për pjesëmarrje në luftërat e huaja.

Në mesin e 110 Kosovarëve të kthyer nga Siria janë edhe 32 gra dhe 74 fëmijë, përfshirë 9 fëmijët që kanë humbur prindërit në luftën e Sirisë.

Të gjithë këta persona po qëndrojnë në qendrën e azilkërkuesve në Vranidoll të Prishtinës.