Arkiv: Marshi i grave në Prishtinë | Foto: KALLXO.com

Pas Raportimit të KALLXO.com, Qeveria Ndan Buxhet për Strehimoret e Mbyllura

Pas raportimit të djeshëm të KALLXO.com që qendrat që ofrojnë strehim për gratë dhe fëmijët të cilët kanë qenë viktima të dhunës në familje janë jashtë funksionit, sot qeveria ka ndarë mjete për ri-funksionalizimin e tyre.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka propozuar ndarjen e 65 mijë eurove nga buxheti i ministrisë që ai e drejton për rifunksionalizimin e 9 strehimoreve që ofrojnë kujdesje dhe strehim për viktimat e dhunës në familje, fëmijëve me trauma dhe viktimave të trafikimit.

“Këto strehimore janë të organizuara në nivel regjional dhe janë të licencuara për ofrimin e shërbimeve sociale. Ekzistojnë 9 strehimore që ofrojnë shërbime të tilla dhe në mungesë të fondeve nga donatorët  dhe komunat,  dhe marrë parasysh që shumica e këtyre strehimoreve për muajin janar dhe shkurt 2018 nuk kanë siguruar fonde të mjaftueshme për vazhdimin e aktiviteteve të tyre dhe mbulimin e shpenzimeve, ministria propozon ndarjen e 65 mijë eurove për rifunksionalizimin e tyre”, tha ai.

Ndërsa nga muaji mars i këtij viti, të gjitha strehimoret do të aplikojnë në shpalljet publike të OJQ-ve.

Pas miratimit të këtij propozimit, në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Ramush Haradinaj tha se “ishte edhe lajm mediatik ndërprerja e punës së qendrave”.

http://kallxo.com/mbyllen-strehimoret-viktimat-e-dhunes-mbesin-ne-rruge/

Pas raportimit të djeshëm, ka reaguar edhe OSBE-ja në Kosovë.

Në deklaratën e dhënë për KALLXO.com, OSBE shpreh shqetësimin për mbylljen e këtyre strehimoreve. Sipas organizatës, kjo është në kundërshtim me zotimin e institucioneve të Kosovës se do të kontribuojnë për të drejtat e njeriut.

http://kallxo.com/osbe-e-shqetesuar-pas-mbylljes-se-strehimoreve/