Ukë Rugova | Foto: KALLXO.com

Pas një viti pauzë, caktohet data e gjykimit të Ukë Rugovës

Kur kanë kaluar më shumë se një vit qëkur është mbajtur seanca e fundit ndaj Ukë Rugovës, Gjykata Themelore e Prishtinës më në fund ka caktuar seancën e këtij gjykimi.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi për KALLXO.com zëdhënësja Mirlinda Gashi.

“Seanca është caktuar të mbahet më datë 29 janar nga ora 13:15”, tha Gashi.

Seanca e fundit për këtë rast ishte mbajtur në muajin nëntor të vitit 2017 nën udhëheqjen e gjyqtarëve të EULEX-it, raporton kallxo.com.

Që nga ajo kohë, EULEX ka përfunduar mandatin në Kosovë, lënda është transferuar te gjyqtarët vendorë ndërsa nuk është caktuar të mbahet ende ndonjë seancë.

Më 30 janar të vitit të kaluar, KALLXO.com raportoi se EULEX kishte hequr dorë nga gjykimi i këtij rasti, duke e transferuar atë te vendorët.

Nga një seancë e mëhershme e gjykimit ndaj Ukë Rugovës | Foto: KALLXO.com

KALLXO.com ka kontaktuar edhe mbrojtësin e Ukë Rugovës, avokatin Nexhat Shabanin, i cili tha se deri më tani nuk është informuar për caktimin e ndonjë seance në rastin ndaj klientit të tij.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga Prokuroria Speciale, Ukë Rugova ishte pjesë e një grupi qëllimi i të cilit ishte përfitimi material, duke furnizuar individë me viza Schengen të BE-së nga Ambasada italiane në Prishtinë, të cilat janë marrë në mënyrë të paligjshme ose përmes korrupsionit.

Sipas aktakuzës plot 556 viza Schengen ishin marrë nga Ambasada e Italisë në Prishtinë në lidhje me aktivitetet e grupit.

Së bashku më Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe edhe 20 persona të tjerë, ndër ta edhe ish-ministri Astrit Haraqija.

Të akuzuarit e këtij rasti janë deklaruar të pafajshëm duke mohuar pretendimet e Prokurorisë.

Të gjitha raportet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i gjeni në këtë link.