Autostrada, ilustrim

Pal Lekaj: Paratë e autostradës janë rialokuar në projekte rurale për vota

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, akuzoi qeverinë e kaluar të Kosovës për gjobën 53 milionëshe në rastin e autostradës që e lidh Kosovën dhe Maqedoninë.

Lekaj në një konferencë për shtyp ka shpjeguar sot procesin që çoi në pagesën e dënimit prej 53.1 milionë euro për kompaninë “Bechtel- Enka” rreth vonesave në ndërtimin e autosstradës Prishtinë- Hani i Elezit.

“Ministria dhe qeveria kanë informata të duhura për të vlerësuar rreziqet kontraktuale për ndërprerjen e punës dhe ndikimin e arbitrazhit për investimet e huaja”, tha ministri Lekaj

“Kur erdhëm në këtë ministri ishim përballë një pagese mbi 60 milionë euro por e zbritëm në 53 milionë”, shtoi ai.

Lekaj ka akuzuar qeverinë e kaluar të drejtuar nga Isa Mustafa dhe ministrin e Infrastrukturës në atë qeveri, Lutfi Zharku, për keqmenaxhim të buxhetit duke ri-alokuar paratë e destinuara për këtë autostradë në projekte më të vogla për të cilat tha se synim kryesor e kanë pasur votën.

“Paratë janë ri-alokuar në 260 projekte komunale e rurale… Ish ministri nuk ka qenë i gatshëm të merret me këtë çështje të shkaktuar nga faji i vet”, tha Lekaj.