Policia tregon arsyen e ndaljes së 'Dardanëve' në rrugën për në Sofje

Policia e Kosovës ka njoftuar se në autostradën Prishtinë – Shkup ka ndaluar autobusët me “Dardanë”, të cilët kishin marrë rrugën për në Sofje, ku Kosova do të ndeshet me Bullgarinë, për shkak se e kanë rrezikuar sigurinë në trafik.

Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, Policia e Kosovës ka hasur në automjete/autobusë ku pasagjerët e tyre kanë dalë nga autobusët dhe kanë lëvizur nëpër autostradë dhe përreth saj.

“Të cilët me veprimet e tyre në autostradë kanë rrezikuar sigurinë në trafik, pastaj masa respektive janë ndërmarr nga Policia bazuar në procedura ligjore. Veprimet që rrezikojnë sigurinë e pjesëmarrësve në trafik nuk do të tolerohen qoftë në rrugë lokale. rajonale dhe autostrada”, ka thënë Hoxha për Kallxo.com.

Më tej Hoxha ka thënë se Policia e Kosovës në funksion të garantimit të një sigurie më të madhe në trafik në planifikimet e saj ka paraparë që të realizojë kontrolle aktive edhe në këtë pjesë të autostradës Prishtinë – Shkup.

Policia e Kosovës apelon tek të gjithë drejtuesit e automjeteve që të respektojnë rregullat që dalin nga Ligji mbi trafikun, në veçanti t’iu përmbahen shenjave në rrugë, sepse vetëm në pesë-mujorin e parë të këtij viti ( janar-maj 2019) 35 persona kanë humbur jetën nëpër rrugët e vendit.

“Megjithatë njësitet policore janë aktive nëpër të gjitha rrugët lokale, rajonale dhe autostrada dhe do të ndërmarrin veprime ligjore ndaj të gjithë atyre qe bien ndesh me rregullat në trafik”, ka deklaruar Hoxha për Kallxo.com.

Ndeshja mes Bullgarisë dhe Kosovës do të zhvillohet nesër, 10 qershor, me fillim nga ora 20:45.

Kosova shkon si mysafire e Bullgarisë pas një seri prej 13 ndeshjeve pa humbje.

Në ndeshjen e fundit në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Europian, Kosova ka barazuar ndaj Malit të Zi, me rezultat 1 me 1. Tashmë Kosova radhitet e 3-ta në grupin A, me 2 pikë.