Kleptomania e Liderëve Institucionalë

Të martën e 8 korrikut 2014 shkova në zyret e Ministrisë së Infrastrukturës. Ministria kishte ftuar të interesuarit se atë ditë do të kenë qasje në kontratën e nënshkruar një javë më herët me konsorciumin Bechtel & Enka për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Shkup. Ndërtimi i autostradës, të dytës në një periudhë shumë të shkurtër kohore, do të kushtonte 599 milionë euro, pa llogaritur këtu edhe shpronësimet.

Në Ministrinë e Infrastrukturës më orientuan në një sallë ku ndodheshin të ekspozuara dy kopje të kontratës. Kur po bëhesha gati që të marr njërën kopje dhe të dal nga aty, një person nga sigurimi më ndaloi duke më thënë se kontrata mund vetëm të shfletohet për disa minuta, por jo edhe të merret me veti ose të fotografohen pjesë të saj. Duke e kundërshtuar këtë praktikë mbi bazën e Ligjit për qasje në dokumente publike, sipas të cilit çdo dokument publik mund të merret në çfarëdo forme që e preferon parashtruesi i kërkesës, zyrtarët e ministrisë ftuan edhe ministrin Fehmi Mujota që të më bind se përse është e ndaluar që kontrata të dal jashtë hapësirave të ministrisë.

I tërë konflikti verbal mes meje dhe ministrit Mujota po regjistrohej nga e vetmja kamerë e cila ndodhej në sallë në atë mëngjes– ajo e RTK-së. Në fund, unë nuk pranova të marr pjesë në farsën e ministrisë kinse po bëhet publike kontrata. Disa orë më vonë Instituti GAP lëshoi një reagim publik. Po atë mbrëmje, në lajmet qendrore të televizionit publik, kronika shoqërohej me mbishkrimin “PUBLIKOHET KONTRATA PËR M6 – Disa ditë pas fillimit të punimeve u publikua kontrata e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit”. Kronika nuk e shfaqi aspak konfliktin verbal mes meje dhe ministrit, si dhe nuk e shfaqi fare prononcimin tim për RTK ku deklaroja se ministria po mashtron opinionin kur deklaron se po bën publike kontratën.

Kontrata nuk u bë publike kurrë. Instituti GAP përsëriti disa herë kërkesën për qasje në kontratën e autostradës. Kërkesa e fundit e dërguar mban datën 17 janar 2018. Asnjëherë asnjë përgjigje nga ministria, madje as refuzuese. Disa muaj më parë, Lëvizja FOL fitoi një tjetër rast gjyqësor, ndaj padisë së ushtruar kundër të njëjtës ministri më 2011, për moslejim të qasjes në kontratën e parë të autostradës, atë të Prishtinë-Morinë. As në këtë rast, ministria nuk ka bërë publike kontratën, përkundër asaj se ekziston një vendim gjyqësor.

Përderisa katër vite më parë televizioni publik deklaronte se kontrata e autostradës u bë publike, përderisa qeveria vazhdimisht prente shirita në promovimin e kryerjes së punëve në segmente të ndryshme të autostradës, papritmas na doli një kërkesë e punëkryesit se shteti i Kosovës i ka borxh edhe 63 milionë euro shtesë në emër të vonesave. Në kërkesën e Bechtel&Enka për 63 milionë euro shtesë, në krye të së cilës shkruhet se dokumenti është konfidencial, thuhet se kostoja shtesë ka të bëjë me pagesën e stafit, qiranë për makineritë e përdorura nga punëkryuesi, etj.

Tetëmbëdhjetë ditë pas marrjes së mandatit, më 27 shtator 2017 Pal Lekaj kishte nënshkruar një amendament për zgjatjen e afatit për 347 ditë për përfundimin e punëve në autostradë. Nënshkrimi i amendamentit ishte bërë në fshehtësi të plotë dhe tek dy muaj pas nënshkrimit të këtij amendamenti, z.Lekaj në një debat televiziv tregoi se ka marr një kërkesë për një kosto shtesë prej 63 milionë eurosh. Në fund, Qeveria me mburrje deklaroi se ka arritur të “shpëtoj” 10 milionë euro, duke paguar “vetëm” 53 milionë euro, e jo 63 milionë sa janë kërkuar fillimisht.

Në kërkesën e Bechtel&Enka nuk jepet asnjë detaj se sa rroga janë paguar përgjatë kësaj kohe dhe numrin punëtorëve, sa është numri i pajisjeve të cilat janë marrë me qira dhe kanë krijuar kosto shtesë për kompaninë, si është e mundur që krejt kjo të kushtoj 63 milionë euro (sipas kërkesës fillestare), aq sa do të kushtoj përfundimi i punimeve për autostradën e Mitrovicës?

 

Në pamundësi të qasjes në kontratën e autostradës, ne nuk e dimë se cili ka qenë plani i financimit të autostradës dhe cilat kanë qenë dënimet në rast të vonesave. Por, nëse bazohemi në Buxhetin e Kosovës për vitin 2014 (i cili përmban edhe planifikimet buxhetore për 2015-2016) dhe Buxhetin për 2017, si dhe nëse bazohemi në pagesat e realizuara për vitet 2014-2017, del se Qeveria ka paguar më shumë se sa që ka planifikuar.

Atëherë, për çfarë vonesash bëhet fjalë? Këtu mund të supozojmë katër skenarë:

E para, të gjitha qeveritë deri më tani (Qeveria Thaçi 2, Qeveria Mustafa dhe Qeveria Haradinaj) janë përgjegjëse për keq planifikim financiar, ngase kanë buxhetuar autostradën më pak se sa që ka qenë e paraparë me kontratë. Andaj, për këtë Prokuroria duhet të marr në pyetje Besim Beqajn, Avdullah Hotin dhe Bedri Hamzen, si ministra të financave në tri mandatet e fundit qeveritare.

E dyta, kontrata e nënshkruar nuk përmban plan të detajuar të investimeve dhe për këtë duhet të merret në përgjegjësi penale Fehmi Mujota, si një ndër nënshkruasit e kontratës më 1 korrik 2014, Hashim Thaçi si Kryeministër i asaj kohe dhe Besim Beqaj si Ministër i Financave.

E treta, ministrat e infrastrukturës dhe financave, qëllimshëm nuk kanë ndarë fonde të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e autostradës, edhe pse kanë qenë në dijeni për dënimet financiare që mund të rrjedhin dhe kësisoj i kanë bërë dëm buxhetit në vlerë prej 53 milionë eurove. Rrjedhimisht, në përgjegjësi penale duhet të merren Lutfi Zharku dhe Pal Lekaj, si ministra të infrastrukturës, Avdullah Hoti dhe Bedri Hamza si ministra të financave, si dhe Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj si shefa të qeverisë.

E katërta, amendamenti i nënshkruar nga Pal Lekaj ka krijuar këtë kosto shtesë dhe rrjedhimisht duhet të jap përgjegjësi penale.

Të gjitha dërgojnë tek një skandal i madh korrupsioni. Andaj, Prokuroria duhet të filloj hetimet që tani, pa pritur të kalojnë vite të tëra dhe të humben gjurmët, ashtu siç ka vepruar me shumë raste deri më tani. Në të kundërtën duhet të kërkojmë largimin e Kryeprokurorit.

Ditën kur u mor vendimi në mbledhjen e Qeverisë për ti ndarë 53 milionë eurot për kompaninë punëkryese, arsyetimi i Kryeministrit ishte se “më mirë me i nda mjetet financiare, se sa me u përballë me procese të gjata e të kushtueshme në gjykata ndërkombëtare”. Unë them se Kryeministri Haradinaj, dy paraardhësit e tij dhe gjashtë ministrat e financave dhe infrastrukturës, më mirë të japin llogari para gjykatave, se sa të shfrytëzojnë paratë e taksapaguesve për të mbuluar pasojat e paaftësisë dhe kleptomanisë të tyre.