Opozita diskuton për kushtetutshmërinë e procesit të dialogut Kosovë - Serbi

Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë mbajtur tryezën “Kushtetutshmëria dhe përgjegjësitë institucionale në procesin e Dialogut me Serbinë”.

Shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së, Avdullah Hoti tha se koalicioni PAN nuk e ka trajtuar në mënyrë serioze dialogun Kosovë-Serbi.

“Ky proces kërkon bashkëpunim, por a ka pasur koalicionin PAN çështje serioze që të zgjidhet kjo çështje, sigurisht që jo. Brenda këtij mandati ka pasur shumë ide, disa thonë se s`do të ketë shkëmbim, disa po, kjo besoj që është arsyeja kryesore që ka humbur besimi i qytetarëve”, tha Hoti.

Ai shtoi se dialogu nuk mund të zhvillohet me ekipin negociator, pasi që nuk është votuar me 2/3 e votave.

“Duhet të ketë një platformë por ku mbrohen kufijtë e Kosovës, kushdo që mendon që kështu e qon përpara këtë proces po gabohet”, tha Hoti.

Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të LV-së, Glauk Konjufca tha se dialogu  me Serbinë është karakterizuar me pazare.

“Dorëzimi i qeverisë para presidentit që të bëjë çka të dojë më këtë proces, ky është një pazar për ta arritur koalicionin qeveritar e cila ka qenë kërkese e PDK-së që t`i mbetet dialogu Thaçit”, tha Konjufca duke thumbuar edhe ish deputetët e partisë së tij, tash në PSD.

“Pazari i dytë ka të bëjë më një pjesë te deputetëve të Kosovës, të cilët kur mbetet qeveria me 52 vota e paaftë për mi qu proceset përpara dolën ata të cilët votat i kanë marrë për qëllime të tjera dhe shkuan bashkë procesin e dialogut”, tha Konjufca.

Ai shtoi se dialogu duhet të kthehet në pikën zero dhe të shpallen zgjedhjet e reja.

“Duhet të kthehet në pikën zero sepse po na bënë dëm ideja e shkëmbimit të territoreve me ç`njohje”, tha Konjufca.

Ndërsa deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj tha se dialogu shkel disa nene kushtetuese.

Albulena Haxhiu nga VV tha se kjo qeveri nuk i ka as votat në Kuvend dhe për këtë shumë seanca nuk mund të mbahen.

“Një qeveri e cila e ka humbur komplet shumicën, ku në seanca presin 70 pika të rendit ditës për shkak të mungesës se votave, është e pakuptimtë të zhvillohet dialogu. Ne konsiderojmë që janë 8 nene kushtetuese që shkelen në këtë proces”, tha ajo.