Nuk janë më 35 Delegatë të Deklaratës së 2 Korrikut

Shabani, gjatë takimit të sotëm të delegatëve të atëhershëm me kryetarin e Kuvendit Kadri Veselin, kërkoi që këta delegatë të kompensohen materialisht për punën dhe sakrificën e bërë, derisa ende shumica e tyre janë gjallë.

“Shohim disa me paterica, disa nuk kanë mundur të jenë këtu, e përkundër kësaj asnjëherë nuk u zu pyetja për përkujdesjen shëndetësore apo materiale të këtyre delegatëve. Kështu që është mirë të trajtohet në organet e Kuvendit të Kosovës. Po thom, sepse tash jemi dikun rreth 35 më pak, e kishte me qenë mirë sa është një numër më i madh që ta gëzojmë ndoshta një beneficion,” ishte kërkesa e drejtpërdrejtë e Shabanit drejtuar Kadri Veselit.

Veseli në një konferencë të përbashkët pas takimit, i falënderoi delegatët e pranishëm duke thënë se do të jetë i përkushtuar që çdo 2 Korrik ta përjetojnë bashkërisht këtë datë.

Ai gjatë fjalimit të tij tha se deklarata e 2 korrikut ishte fillimi i jetësimit të Republikës së Kosovës.

“E quaj 2 Korrikun si shpallje të republikës për arsye se disa munden me marrë edhe si deklaratë, por ajo datë te populli i jonë ka qenë faktikisht një moment i kthesës historike, kur Republika e Kosovës ka filluar të bëhet realitet,” tha Veseli para të pranishmëve.

Pas konferencës dhe takimit me Veselin, delegatët e atëhershëm bënë një fotografi të përbashkët në vendin ku ishte lexuar Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut.

Me këtë deklaratë, të lexuar dhe miratuar 26 vjet më parë, nën kushte të rrethimit policor nga regjimi i atëhershëm serb, 111 delegatë të Kuvendit të Kosovës shpallën Kosovën njësi të barabartë të federatës ose konfederatës jugosllave, pasi në atë kohë nuk dihej se si do të zhvillohej shpërbërja e Jugosllavisë.