Pamje nga Ora Letrare ‘7 Shtatori’. Foto: Kallxo.com

Shkrimtarët kujtojnë 31-vjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut

Unioni i Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptarë dhe Shoqata e Shkrimtarëve “Naim Frashëri” kanë organizuar sot orën letrare “7 Shtatori”, në kujtim të 7 shtatorit të vitit 1990, ditën kur delegatët e Kuvendit të Kaçanikut miratuan Kushtetutën e parë të Republikës së Kosovës.

Kjo orë letrare është mbajtur në Platonë e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Përveç krijuesve letrarë, gjatë këtij aktiviteti morën pjesë edhe delegatët që ishin pjesë e atij Kuvendi, 31 vite më parë dhe personalitete publike e politike të vendit.

Iliaz Ramajli, ish-kryetar i Kuvendit të Kaçanikut ka kujtuar ngjarjet e datës 7 shtator 1900.

“Deklarata kushtetuese e 2 korrikut dhe Kushtetuta e 7 shtatorit 1990 u shndërruan me kohë në busullë të lëvizjes sonë paqësore politike dhe besoj se këto akte kanë qenë edhe pikënisje e të gjitha sakrificave dhe luftës së armatosur për çlirim”, ka thënë Ramajli.

Ndërsa, Reshat Sahitaj, në emër të organizatorëve ka thënë se Ministria e Kulturës nuk e ka mbështetur mbajtjen e këtij aktiviteti.

Gjatë këtij takimi kanë folur edhe ish-deputeti i viteve 90-ta, Muharrem Shaban dhe regjisori Dibran Fylli.

Me mirënjohje për kontributin e tyre nga organizatorët janë nderuar Iliaz Ramjali e Muharrem Shabani, në shenjë nderimi për gjithë ish-delegatët e Kuvendit të Kosovës të vitit 1990.

Pas fjalimeve, krijuesit kanë lexuar poezi të shumta për nder të 31-vjetorit të Kushtetutës së Kaçanikut.

Më 2 korrik 1990 Kuvendi i atëhershëm i Kosovës shpalli Deklaratën Kushtetuese, ndërsa më 7 shtator 1990, në Kaçanik miratoi Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

 

Pamje nga Ora Letrare ‘7 Shtatori’. Foto: Kallxo.com