Rëndësia historike e Deklaratës së 2 korrikut 1990

29 vjet më parë deputetët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës votuan Deklaratën Kushtetuese përmes së cilës Kosovën e shpallën njësi të barabartë me njësitë e tjera të ish-Jugosllavisë.

Historianët kosovarë kanë potencuar rëndësinë historike të kësaj Deklarate duke e konsideruar si gurthemel të shtetësisë së Kosovës dhe me ndikim në ngjarjet që karakterizuan më pas Kosovën.

Deklarata u shpallë në kushte tejet të jashtëzakonshme, më 2 korrik 1990, duke e ngritur ish-Krahinën Socialiste Autonome të Kosovës në njësi-Republikë të barabartë me njësitë tjera ish-Jugosllavisë.

Historiani, Jusuf Buxhovi, i cili këtë ditë e ka vlerësuar edhe përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook,  ka potencuar se shtetësia e Kosovës është e lidhur ngusht me Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990.

Sipas tij, kjo deklaratë e shpallur nga 111 delegatë të Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, ka zhvlerësuar Rezolutën e Konferencës së Prizrenit, të 10 korrikut 1945, me të cilën Serbia, pasi që kishte anuluar me gjak Rezolutën e Bujanit, e aneksoi Kosovën.

Buxhovi ka thënë se me shpalljen e Kosovës njësi të barabartë të federatës jugosllave, u hap rruga e veprimeve dhe zhvillimeve të mëtutjeshme deri te akti i pavarësisë më 17 shkurt të 2008.

“Shpallja e Kosovës shtet i pavarur, më 17 shkurt 2008, rikonfirmoi këtë proces historik që filloi më Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990 dhe u përmbyll me Referendumin për Pavarësi të vitit 1991. Andaj, për historikun e shtetësisë së Kosovës 2 korriku 1990 paraqet gruthemelin e saj”, ka thënë Buxhovi, për Kallxo.com

Shkodran Imeraj, shef i Departamentit të Historisë Bashkëkohore në Institutin e Historisë, “Ali Hadri” në Prishtinë, ka ​potencuar se Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut të vitit 1990, mbetet dokument themeltar i shtetësisë së Kosovës, çka sipas tij hapi rrugën për procese të mëtejme për shtetësinë e  Kosovës.

“Delegatët e Kuvendit të Kosovës të përbërjes së vitit 1990, kanë hyrë dhe mbetur në historinë e popullit shqiptar, si politikan të cilët me aktin e tyre me 2 korrik 1990, ndanë në dysh rrugëtimin e shqiptarëve të Kosovës për liri, çlirim e pavarësi nga pushtimi serb, poashtu me këtë akt ata hapën rrugën e përgatitjes së terrenit për fillimin e luftës çlirimtare, luftë e cila do të kulmoj me lirinë, çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës”, ka thënë ai.