Foto: KALLXO.com
Nënkryetari i Obiliqit i Shmanget Konfliktit të Interesit
Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka mbyllur rastin e Slavisha Jakovljeviqit, nënkryetari i Komunës së Obiliqit, pasi ai ka shmangur gjendjen e konfliktit të interesit.
AKK rastin ndaj Jakovljeviqit e kishte hapur nën dyshimin e bazuar për konflikt interesi gjatë ushtrimit të funksionit publik, pasi ai në të njëjtën kohë ishte edhe nënkryetar i Komunës edhe bashkëpronar në biznesin privat “Eko-Plemetina”.
Sipas vendimit të AKK-së, Slavisha Jakovljeviq është njoftuar me shkresë zyrtare për fillimin e procedurës për shqyrtimin e gjendjes së mundshme të konfliktit të interesit pas së cilës ai është takuar me zyrtarët e Agjencisë.
Pas takimit, nënkryetari Jakovljeviq i kishte dërguar Agjencisë Kundër Korrupsion një informatë mbi biznesin privat të lëshuar nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë me të cilin vërtetonte se ai ka caktuar një person të autorizuar për të udhëhequr biznesin privat, ndërsa vet ka mbetur në cilësinë e pronarit pasiv dhe me këtë kishte shmangur konfliktin e interesit.
Agjencia Kundër Korrupsion nuk përjashton mundësinë që ky rast të rihapet nëse paraqiten rrethana të reja.