Aktiviteti humanitar - Foto: Komuna e Gjilanit

Në Gjilan nis aktiviteti humanitar ‘Dhuro, bëj të lumtur dikë!’

Në Gjilan ka nisur sot aktiviteti humanitar “Dhuro…bëj të lumtur dikë”, i cili organizohet nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri.

Synimi i këtij aktiviteti është që du dilet në ndihmë njerëzve në nevojë me rroba, veshmbathje për mosha të ndryshme, si dhe lodra për fëmijë.

Sipas njoftimit të Komunës së Gjilanit, deri më tani, qytetarët, Këshilli i Bashkësisë Islame dhe kompania “Durrësi”, kanë dhuruar më shumë se dy tonë veshmbathje për mosha të ndryshme.

Kryetari Haziri ka bërë thirrje që mbështetja për njerëzit në nevojë të vazhdojë gjatë tërë ditës sotme dhe në vazhdim.

“Me aktivitetin e sotëm, Gjilani po del të jetë qendra më e madhe administrative më sociale në Ballkanin Perëndimor. Përveç kësaj, i kemi ndërtuar 65 shtëpi për familjet me gjendje të rëndë sociale, i kemi renovuar 40 shtëpi dhe për 40 familje të tjera po paguajmë qira. Nuk duhet harruar edhe mbrëmjen humanitare për mbështetje ndaj fëmijëve me nevoja të veçanta, prej së cilës kanë përfituar organizatat që i trajtojnë këto raste. Jam krenar me solidaritetin e njerëzve të vullnetit të mirë”, citohet të ketë thënë kryetari i Gjilanit.

Ky aktivitet po mbahet në Ditën Ndërkombëtare të Humanizmit, në sheshin “Agim Ramdani”, në kuadër të Muajit të Mërgatës.