Memli Morina, gjinekolog. Foto: Kallxo.com

VIDEO - Këshillat e mjekut: Shtatzënia në verë

Shtatzënia është një periudhë e cila ndryshon të gjitha funksionet në trupin e një gruaje. Një shtatzënë duhet të bëjë kujdes të veçantë varësisht nga stina në të cilën gjendet. Stina e veres kërkon përkushtim më të madh për shkak të temperaturave të larta.

Gjinekologu obstetër Memli Morina tregon për KALLXO.com se si duhet të kujdeset për vete një grua shtatzënë.

“Shtatzënia si periudhë është e mrekullueshme, Shtatzënia në verë është akoma më e mirë, të qenit shtatzënë në muajt e verës kur temperaturat janë komode e bënë që gruaja shtatzënë të mos ketë kufizime si në dhjetor e janar.  Në qoftëse një shtatzënë është në muajt e gjashtë- shtatë në muajt e verës, atëherë ka mundësinë që rregullisht të shijojë ecjen në natyrë të ulet në ambient të shijojë rrezet e diellit dhe ajrin e pastër”, tha gjinekologu Morina për KALLXO.com.

Sipas doktorit, një shtatzënë nuk duhet ta kufizojë veten ajo duhet të jetë aktive dhe të kryejë detyrat e saj të përditshme por gjithmonë duke e dëgjuar trupin e saj. Doktori rekomandon që shtatzënat të kenë kujdes me ekspozimin në diell.

“Duhet pasur kujdes sepse ekspozimi i tepruar ndaj rrezeve të diellit mund të paraqet rrezik për lëkurën e shtatzënave, lëkura e tyre është shumëfish më e furnizuar me gjak dhe më e ndjeshme se që ka qenë më parë dhe rrjedhimisht mund të digjet më lehtë se para shtatzënisë, prandaj edhe nëse del për një sheti është mirë që krema mbrojtëse të aplikohet ne vendet ku nuk mbulohet me rroba ose akoma më mirë të ketë një sheshir që mundëson një hije të fytyrës dhe veshjet të jenë të pambukta dhe të lirshme”, tha ai.

Ndërsa rekomandon që të bëhet not për shkak të përfitimeve të mëdha fizike, Morina thotë se pas notit një shtatzënë duhet të tregojë kujdes në mënyrë që t’i evitojë infeksionet.

“Është e mundur që nëse një shtatzënë lahet dhe kur del nga deti rrobat i ka të lagura dhe pret që ato të teren në trup është e mundshme që qëndrimi lagur mund të favorizojë zhvillimin e disa mikrobeve ose kërpudhave dhe kjo e komplikon situatën, prandaj nëse është e mundur që të ndërohen rrobat e banjos dhe të vishen ato të tjerat, përndryshe noti si sport është i përkryer”, tha Morina për KALLXo.com.

Ndërsa e një rëndësie të veçantë është edhe konsumimi i ujit pasi që nga temperaturat e larta trupi mund të dehidrohet.

“Një shtatzënë që është në mesin e shtatzënisë e tutje fjala për muajt korrik gusht, kur temperaturat janë mbi 30 gradë e tutje atëherë uji i largohet shumë herë më lehtë nga trupi prandaj është mirë të konsumohet shumë ujë. Shtatzëna nuk duhet të ketë sinjal për etje ajo duhet të pijë ujë pati e nuk pati etje si sinjal se po pin mjaftueshëm është pamja e urinës”, tha gjinekologu Memli Morina.