Sylë Tahirsylaj parashikon deri kur do të bjerë borë

Gjatë dy ditëve të fundit, kanë rifilluar reshjet e borës në vendin tonë.

Eksperti i meteorologjisë si dhe profesori universitar, Sylë Tahirsylaj ka treguar për KALLXO.com se reshjet e borës do të ketë edhe nesër, por do të rifillojnë përsëri gjatë javës së ardhshme.

“Vendi ynë do të vazhdojë të jetë në ndikimin e masave ajrore të cilat vijnë nga pjesa verilindore e rajonit. Këto masa ajrore kanë shkallë të lartë të lagështisë, për rrjedhojë që nga gjysma e dytë e kësaj jave e deri nesër në orët e paradites do të ndërpriten reshjet”, ka thënë Tahirsylaj për KALLXO.com

Tahirsylaj tha se gjatë ditës së diel nuk do të ketë reshje, ndërsa nga dita e hënë ka mundësi të ketë reshje të vogla, të martën do të ketë reshje shiu dhe bore, ndërsa nga dita e mërkurë e deri të dielën nuk do të ketë reshje.

“Temperaturat minimale do të luhaten nga -5 deri në -7 gradë celsius në vende kodrinore-malore,  ndërsa maksimalet do të luhaten nga 4 deri në 6 gradë celsius, që do të shkaktojnë shkrije të borës”, tha Tahirsylaj.

Ai shtoi se në ato vende ku ka degradim të shtretërve të lumenjve më shkrirjen e borës do të rriten nivelet e rrjedhave dhe ka mundësi që të dalin jashtë shtratit.

“Do të ketë erë nga ana e veriut dhe veriperëndimit në shpejtësi 1 deri në 7 metër në sekondë, ndërsa sasia e reshjeve deri më tani është 30- 35 litër për metër në katrorë.

Tahirsylaj ka shtuar se këto reshje kanë një rëndësi të madhe në mbjelljet vjeshtore dhe për akumulimin e ujërave në liqenet e Kosovës”,  ka thënë Tahirsylaj.