Shpëtim Duro: Fitorja ndaj Flamurtarit e afron Dritën me skuadrat kryesuese

Trajneri i Dritës, Shpëtim Duro, ka folur për mediat pas përfundimit të ndeshjes Flamurtari –Drita, që përfundoi me fitore të gjilanasve.

Trajneri nga Shqipëria tha se fitorja e sotme ishte e rëndësishme për Dritën, pasi vetëm më fitore do ta mbajnë ritmin për të luftuar për kreun e tabelës.

“Fitore shumë e rëndësishme në këtë moment që jemi… Duhet ta mbajmë ritmin me skuadrat e tjera, nuk duhet të bëjmë gabime… Unë e kam parë Flamurtarin, ka luajtur mirë këtë sezon, ka fituar dhe ka marrë rezultate pozitive. Por, sot skuadra e jonë ka qenë jashtëzakonisht pozitive në të gjitha aspektet. Nuk e kemi lënë kundërshtarin për asnjë moment të na rrezikojë, kemi shënuar, por me pak kujdes mund ta mbyllnim lojën para kohe. Jam shumë i gëzuar për këtë fitore dhe është në vazhdën e rezultateve pozitive”, ka thënë Duro.

Rikthimi i Dritës, fiton ndaj Flamurtarit (FOTO)

Tutje Shpëtim Duro ka thënë se skuadra e tij në ndeshjet e radhës nuk duhet të bëjë asnjë gabim dhe duhet të luajë gjithmonë për tri pikët e radhës.

“Ne nuk duhet të bëjmë asnjë gabim dhe mos të harrojmë se kemi fituar katër ndeshje në transfertë, deri më tani nuk kemi gabuar, por të shikojmë, kjo fitore sigurisht që na afron shumë me skuadrat kryesuese, por do të shikojmë ndeshje pas ndeshje, e rëndësishme është që t’i marrim tri pikët gjithmonë të radhës”, ka potencuar Shpëtim Duro.

Aktualisht skuadra e Shpëtim Duros ka 22 pikë dhe radhitet në pozitën e katërt në elitën e futbollit kosovar.